MEKSIKË- Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si "El Mencho", dhëheqësi i kartelit të fuqishëm meksikan Jalisco New Generation u vra këtë fundjavë nga forcat meksikane, duke shkaktuar një reagim të ashpër dhune që ka lënë të bllokuar disa turistë amerikanë. Një ditë pasi ushtria vrau një nga figurat më të fuqishme të krimit në vend, bilanci i viktimave dhe përshkallëzimi i dhunës kanë tronditur thellë Meksikën.
Sipas autoriteteve, më shumë se 70 persona humbën jetën gjatë operacionit për kapjen e Nemesio Oseguera Cervantes dhe në përplasjet që pasuan.
“El Mencho” ishte lideri i kartelit Jalisco New Generation Cartel, një nga organizatat kriminale më të fuqishme në vend, me aktivitet të gjerë në trafikun e fentanilit, metamfetaminës dhe kokainës drejt Shteteve të Bashkuara.
Numri i të vdekurve përfshin efektivë të forcave të sigurisë, anëtarë të dyshuar të kartelit dhe persona të tjerë, për të cilët rrethanat e vdekjes mbeten ende të paqarta. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota për shumicën e rasteve.
Sipas raportimeve zyrtare:
– U vranë 25 anëtarë të Gardës Kombëtare meksikane u vranë
– Rreth 30 të dyshuar si pjesë e grupeve kriminale u vranë në Jalisco
– Katër të tjerë humbën jetën në shtetin fqinj Michoacán, mes viktimave janë edhe një roje burgu dhe një agjent i prokurorisë së shtetit
Dhuna rritet në Jalisco
Meksika shpresonte që vdekja e trafikantëve do të lehtësonte presionin e administratës Trump për të bërë më shumë kundër karteleve, por shumë njerëz ishin të shqetësuar ndërsa prisnin të shihnin reagimin e kartelit të fuqishëm.
Ndërsa kërcënimi i dhunës po rritej, disa shtete meksikane anuluan mësimin të hënën, ndërsa qeveritë lokale dhe të huaja i paralajmëruan qytetarët e tyre të qëndronin brenda.
Qytetarët e bllokuar
Në Guadalajara, kryeqyteti i Jalisco-s, situata ishte kaotike. Mbi 1 mijë persona mbetën të bllokuar gjatë natës në kopshtin zoologjik të qytetit, ku u detyruan të flinin në autobusë për arsye sigurie. Familje të tëra nuk arritën të ktheheshin në shtëpi në shtetet fqinje si Zacatecas dhe Michoacán.
Në qytete të ndryshme, shkollat u mbyllën dhe autoritetet vendase, si edhe ambasada amerikane, këshilluan qytetarët të qëndronin brenda.
Vizitorë të huaj përjetuan momente paniku. Një turist amerikan, 57 vjeç, rrëfeu se ai dhe bashkëshortja e tij dëgjuan shpërthime dhe të shtëna armësh nga hoteli në Puerto Vallarta, ndërsa tym i zi mbulonte zonën. Fluturimi i tyre për t’u kthyer në SHBA u anulua.
“Ishte e frikshme. Në një moment dëgjuam britma dhe menduam për më të keqen”, tha ai.
Presioni ndërkombëtar dhe pasojat
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se SHBA-të kishin ofruar mbështetje me inteligjencë për operacionin dhe përgëzoi ushtrinë meksikane për eliminimin e një prej kriminelëve më të kërkuar në të dy vendet.
Administrata e Donald Trump ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Meksikës për të luftuar trafikun e fentanilit, duke kërcënuar me tarifa të reja tregtare ose veprime të njëanshme ushtarake nëse nuk shihen rezultate konkrete. Departamenti Amerikan i Shtetit kishte ofruar një shpërblim deri në 15 milionë dollarë për informacione që çonin në arrestimin e “El Mencho”.
Në shkurt 2025, administrata amerikane e shpalli kartelin Jalisco New Generation Cartel organizatë të huaj terroriste.
Frika për atë që vjen
Megjithëse në disa zona situata dukej disi më e qetë, qytetarët mbeten në ankth për hakmarrje të mundshme dhe përshkallëzim të ri dhune.
Punëtorë që duhej të dilnin në punë lëviznin me kujdes, ndërsa shumë familje zgjodhën të qëndronin të mbyllura në shtëpi.
“Gjithçka duket më e qetë tani, por ne jemi ende të frikësuar”, tha një 25-vjeçar që mbeti i bllokuar në një barrikadë rrugore jashtë Tapalpas.
Ndërsa autoritetet përpiqen të rivendosin rendin, Meksika përballet me një realitet të hidhur: vrasja e një lideri të fuqishëm të kartelit ka sjellë një kosto të lartë në jetë njerëzish dhe ka hapur një kapitull të ri pasigurie për vendin.