
IZRAEL-Qeveria e Izraelit ka miratuar marrëveshjen me Hamasin për armëpushimin në Gaza dhe lirimin e pengjeve, e nënshkruar gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes në Doha (16 – 17 janar). Marrëveshja do të hyjë në fuqi të dielën, më 19 janar.
"Kjo marrëveshje ka dy faza. Nëse faza e dytë dështon, lufta do të rifillojë me mbështetjen e SHBA-së. Kam marrë garanci të qarta nga Biden dhe Trump,"-tha kryeministri izraelit.
Të dielën do të lirohen tre pengjet e parë. Në total, 33 persona të rrëmbyer më 7 tetor do të lirohen. Mes tyre janë edhe të vegjlit Bibas, por nuk dihet nëse janë gjallë. Në listë përfshihen dhe 5 vajzat ushtarake izraelite. Do të lirohen gjithashtu 1,700 të burgosur palestinezë.
Plani duket se ndahet në tre faza, që zgjasin dy javë secila, në të cilat, përveç lirimit të pengjeve dhe shkëmbimit të të burgosurve, ka një angazhim nga pala izraelite për një rritje të menjëhershme të ndihmës humanitare brenda enklavës palestineze dhe një tërheqje graduale e ushtrisë izraelite nga pjesë të veçanta të Gazës.
Negociatat për fazën e dytë, e cila pritet të sjellë lirimin e pengjeve të mbetura, një tërheqje të plotë të trupave izraelite dhe "rivendosjen e një qetësie të qëndrueshme" do të fillojnë ditën e 16-të.
Faza e tretë dhe e fundit do të përfshijë rindërtimin e Gazës një proces që mund të zgjasë me vite dhe kthimin e trupave të pengjeve të mbetura, nëse ka.
Lufta midis forcave izraelite dhe Hamasit ka rrafshuar një pjesë të madhe të Gazës, ka vrarë më shumë se 46,000 persona dhe ka zhvendosur shumicën e popullsisë të enklavës prej 2.3 milionësh, sipas autoriteteve lokale. Nëse ka sukses, armëpushimi mund të zbusë situatën në Lindjen e Mesme./ZËRI