TIRANË- Bashkëshortja e kryebashkiakut të arrestuar të Bashkisë së Tiranës-Erion Veliajt, Ajola Xoxa është paraqitur ditën e sotme në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mësohet se Xoxa është paraqitur në SPAK për të respektuar masën e sigurisë "detyrim paraqitje", të lënë në fuqi nga Apeli i GJKKO ndaj saj.
Ajola Xoxa është lënë në masën "detyrim paraqitje" lidhur me dosjen Veliaj, ku rezultonte se ishte e përfshirë në skema abuzimesh me fondet publike.
Bashkëshortja e Erion Veliajt akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Gjatë seancës së kaluar Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe ndryshoi masën për bashkëshorten e tij, Ajola Xoca nga 'arrest shtëpie' në "detyrim paraqitje". SPAK akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF./ZËRI