
AVIGNON- Dominique Pelicot, i cili akuzohet se drogonte ish-bashkëshorten dhe rekrutonte burra që ta përdhunonin është shpallur fajtor nga Gjykata e Avignon. Pelicot është dënuar me 20 vite burg për të tre akuzat e ngritura ndaj tij. Ndërsa për 51 të pandehurit e tjerë, të cilët akuzohen për përdhunim serial ende nuk është dhënë dënimi për të gjithë, por pas përfundimit të seancës ata u dërguan në burg. Deri më tani është dhënë dënimi për Saifeddine Ghabi, i cili është dënuar me 3 vite, Romain Vandevelde me 15 vite, Ludovick Blemeur me 7 vite, Cedric Grassot me 12 vite dhe Cendric Venzin me 9 vite.
Nëse të akuzuarit e tjerë shpallen fajtor ata mund të dënohen nga 4 deri në 20 vite burg, ndërsa njërit prej të akuzuarve, Nicolas Francois i është ndaluar të punojë me fëmijë për disa vite.
Qindra njerëz ishin mbledhur jashtë gjykatës së Avignon për të shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e tyre me Gisele Pelicot, duke mbajtur pankarta dhe duke brohoritur kundër dhunës seksuale.
Gisele Pelicot u drogue për 10 vite nga ish-bashkëshorti i saj Dominique Pelicot, i cili rekrutonte burra në internet për ta përdhunuar. Edhe pse ishte e droguar për 10 vjet ajo sërish nuk dyshonte se diçka e tillë dhe e tmerrshme po i ndodhte. Ajo dyshoi se kishte probleme të ndryshme shëndetësore, pasi ajo filloi të pësonte rënie të flokëve, humbje të kujtesës dhe boshllëqe të shumta, po ashtu si edhe probleme të ndryshme gjinekologjike, por bashkëshorti gjithmonë i thoshte se nuk ka asgjë serioze dhe pavarësisht gjendjes së saj të rëndë ai vazhdonte të rekrutonte burra dhe ta përdhunonte sistematikisht. Problemet e saj gjithashtu nuk u morën kurrë si të rëndësishme as nga mjeku i saj që ajo shkoi për 7 vite rresht duke u ankuar për dhimbje të shumta në trup dhe probleme gjinekologjike. /ZËRI