
HOLANDË- Në lagjen e dritave të kuqe të Amsterdamit, pas xhamave nuk do të ketë më vajza dhe gra, por vetëm një hologram. "Vajza" shikon kalimtarët, pastaj troket në dritare dhe shkruan në xham fjalën "ndihmë".
Ky hologram u krijua në ngjashmërinë e Bernadette Betty Szabo, 19 vjeçe, një punëtore seksi hungareze, e cila u vra në kryeqytetin holandez në vitin 2009. Tani, më shumë se 15 vjet pas vdekjes së saj, Policia shpreson të zbulojë informacione të reja rreth vrasjes së saj. Szabo u rrit e varfër në një qytet hungarez, përpara se të transferohej në Amsterdam kur ishte 18 vjeç dhe të fillonte të punonte si punonjëse seksi. Ajo mbeti shpejt shtatzënë, por vazhdoi të punojë gjatë gjithë shtatzënisë, duke sjellë në jetë djalin e saj në nëntor 2008.
Tre muaj më vonë, ajo u gjet e vdekur në kabinën e saj, e shtrirë në një pellg gjaku. Ajo u godit me thikë dhjetëra herë nga një person që ende nuk është identifikuar.
"Hologrami Betty mund të krijojë një lidhje të caktuar apo të bindë autorin që të vetëdorëzohet,"- tha në një deklaratë Benjamin van Gogh, koordinator i ekipit të kërkimit dhe personave të zhdukur të Amsterdamit.
Një zëdhënëse e policisë së Amsterdamit i tha CNN se "nuk është kurrë vonë për të folur".
"Hulumtimet tregojnë se njerëzit që kryejnë këtë lloj krimi zakonisht u tregojnë më shumë njerëzve - 2.2 persona për të qenë të saktë - se çfarë kanë bërë. Kjo do të thotë se duhet të ketë njerëz që dinë më shumë për vdekjen e Betty-t,"- tha ajo.
Shpërblimi për informacion në lidhje me rastin është rritur në 30,000 euro (rreth 32,160 dollarë). Amsterdami mirëpret turistë nga e gjithë bota, kështu që Policia po u bën thirrje atyre që vizituan qytetin në shkurt 2009 të paraqiten nëse dinë diçka më shumë për rastin./ZËRI