TIRANË-Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka nisur bojkotin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike të vendit, në solidaritet me studentët dhe nxënësit që protestojnë. Bojkoti nis nga sot dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë, ndërsa pedagogët, sikurse ditën e djeshme, do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik.
Në njoftimin zyrtar, sindikata shprehet se studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, sigurinë e jetës dhe pronës, si dhe llogaridhënien. Sipas saj, përgjigjja ndaj kërkesave të tyre ka qenë heshtja dhe, që prej 13 tetorit, edhe dhuna. Rikthimi në auditor do të jetë, pasi studentët të marrin përgjigjen që meritojnë, thuhet në njoftim.
“Arsyet e bojkotit: Studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri jete e prone, për të drejtën e llogaridhënies etj. Përgjigjja që kanë marrë nuk ka qenë dialogu, por heshtja dhe, që nga 13 tetori dhe në vijim, edhe dhuna ekstreme. Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë. Pedagogët ndajnë të njejtat oipinione me studentet në lidhje me zhvillimet politike, ekonomike, korrupsionin galopant, mungesën e meritokracisë etj. Bojkoti nuk është braktisje e auditorit. Është mënyra jonë për të treguar se auditori, pa të drejta dhe pa dinjitet, humbet kuptimin e vet. Do të kthehemi në auditor, sapo studentët tanë të marrin përgjigjen që meritojnë”, thuhet në njoftim.


Lëvizja vjen një ditë pasi pedagogët nisën protestën në mbështetje të studentëve.