Bota

Protestat e studentëve në Serbi, presidenti Vuçiç i drejtohet popullit: Për 10 ditë do të vendosim!

Më tej, ai shtoi se brenda 10 ditësh do të marrin vendimin nëse do të shkojnë në zgjedhje ose jo.

I.F
Protestat e studentëve në Serbi, presidenti Vuçiç i
Aleksandër Vuçiç

BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç iu adresua popullit këtë mbrëmje në lidhje me protestat që kanë paralizuar vendin. Vuçiç deklaroi se do të nisë konsultimet me partitë politike për të biseduar nëse do të formohet një qeveri e re brenda 30 ditësh, sipas ligjit apo do të shpallen zgjedhjet e reja, pas dorëheqjes së kryeministrit Millosh Vuçeviç.

"Jam i hapur për të dyja opsionet. Mund të kemi zgjedhje pas 75 ditësh, muaji prill është më i mundshmi. Nuk do të ketë qeveri të përkohshme", tha Vuçiç.

Më tej, ai shtoi se brenda 10 ditësh do të marrin vendimin nëse do të shkojnë në zgjedhje ose jo.

“Si president i shtetit, unë duhet të propozoj kandidatin për të cilin bindem se ka shumicën në Kuvend. Do t'i filloj konsultimet. Në mendje kam tre ose katër emra, por nuk jam i sigurt nëse do të shkojmë në zgjedhje. Vetëm pas 10 ditësh, kur t’ju them nëse do të shkojmë në zgjedhje, apo do të zgjedhim Qeverinë e re, do të mund të flas për kandidatin për kryeministër.”

Presidenti serb tha se e ka pasur shumë të vështirë që të pranojë dorëheqjen e Vuçeviçit.

“Ai e bënte mirë punën e tij”, ka thënë Vuçiç.

Millosh Vuçeviç dha dorëheqje më herët gjatë ditës së martë, në valë e sipër të protestave për incidentin në Novi Sad, në nëntor të vitit të kaluar, ku si pasojë e shembjes së një pllake të madhe betoni janë vrarë 15 persona. Dorëheqje ka dhënë edhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriç.

Për më shumë se dy muaj në Serbi, mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë e ndodhur në qytetin serb. Edhe pas vendimit të Vuçeviç për dorëheqje, përfaqësuesit e studentëve në Serbi kanë thënë se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar dhe kanë paralajmëruar protesta të reja.

Vuçiç, në anën tjetër, ka përsëritur se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur. Sipas tij, protestat dhe bllokadat i kanë shkaktuar dëm të madh ekonomisë së Serbisë dhe sektorit të investimeve, dhe njësoj sikurse Vuçeviç ka pretenduar se organizimi është bërë sipas “urdhrit nga jashtë”, por pa përmendur dikë në mënyrë specifike.

Kërkesat e studentëve

Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024. Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale. Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

Në natën mes 27 dhe 28 janarit, protestuesit janë përkrahur nga bujqit, të cilët kanë bllokuar me traktorët e tyre rrugë kryesore të kryeqytetit serb, Beogradit. Me kalimin e kohës, zemërimi për vdekjet në Novi Sad është zgjeruar me kërkesa tjera. Protestuesit kanë thënë se nuk janë të interesuar në politikë dhe nuk i shohin dorëheqjet si problemin kryesor. Ata insistojnë që institucionet serbe të punojnë siç duhet. /ZËRI

Poll

MOS HUMB