HAGË-Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë (ZPS) ka kërkuar që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të shpallet fajtor dhe të dënohet me 6 vite burgim lidhur me akuzën për ‘pengim të drejtësisë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë’.
“Bazuar në të gjitha provat, faktet, Prokuroria kërkon që të merrni një vendim që përputhet me ligjin, provat dhe faktet. Pra, fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që merren parasysh në dënimin e zbatueshëm në këtë rast. Prokuroria kërkon që të jepni një vendim siç është kërkuar; për Kuçin 9 muaj burgim, për Fazliun 3 vjet burg, Kilajn 3 vjet burgim, Smakajn 3 vjet burgim dhe Thaçi 6 vjet burgim, që do vuhet në vijim të ndonjë denimi që mund të jepet në çështjen 6 nëse do të jepet”, ka thënë Prokuroria.
Sipas Prokurorisë, akuzat që ZPS-ja ka ngritur dhe akuzat që ZPS-ja ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm, janë krime. Prokurori Joshua Hafetz i tha gjykatës se provat për pengimin e drejtësisë përbëhen nga rreth 28 orë regjistrime të Thaçit, të bëra gjatë nëntë vizitave të veçanta përgjatë katër muajve në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Sipas Prokurorisë, qëllimi i Thaçit dhe të bashkëakuzuarve ishte të ndikonin te dëshmitarët e përzgjedhur prej tij.
“Janë krime për një arsye të qartë; Përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor përpara kësaj gjykate që ekziston këtu në Hagë pikërisht për shkak të kaluarës së gjerë të frikësimit dhe ndërhyrjes së dëshmitarëve në Kosovë paraqet një kërcënim për administrimin e drejtë dhe të lirë të drejtësisë”, ka thënë Prokuroria.
Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, pritet të dalin para Dhomave të Specializuara më 16 shtator, kur do të shpallet aktgjykimi përfundimtar në procesin gjyqësor që ka zgjatur mbi tre vjet.
Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020, ndërsa Prokuroria i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat ata i kanë mohuar. Sipas aktakuzës, të akuzuarit mbajnë përgjegjësi edhe për veprimet e personave nën komandën e tyre. Gjatë procesit gjyqësor janë shqyrtuar qindra prova dhe janë dëgjuar dëshmitarë nga të dyja palët./ZËRI