ITALI-Qeveria italiane ka miratuar masa të reja sigurie pas protestave të dhunshme në Milano, ku gjatë fundjavës u plaçkitën dyqane, u dëmtuan prona dhe u plagosën më shumë se 100 efektivë policie. Kryeministrja Giorgia Meloni njoftoi dërgimin e 500 ushtarakëve shtesë në Milano deri në fund të vitit, për të mbështetur policinë pas përplasjeve të dhunshme në qytet. Pas mbledhjes së qeverisë, Meloni bëri të ditur miratimin e masave të reja, raporton corriere della serra.
Dekreti parashikon që prindërit të paguajnë për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre të mitur, ndërsa personat mbi 14 vjeç do të mund të ndiqen penalisht më lehtë. Gjithashtu, pjesëmarrja e dhunshme në protesta do të dënohet me deri në 12 vjet burg dhe gjobë deri në 20 mijë euro, me masa më të rënda në rastet kur protestuesit mbulojnë fytyrën ose plagosin persona të tjerë.
Gjatë prezantimit të dispozitës, ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, përmendi përdorimin e shkopinjve dhe mjeteve të forta, por edhe “hedhjen e raketave piroteknike, flakadanëve dhe fishekzjarrëve, që rrezikojnë sigurinë fizike të njerëzve”. Për këtë vepër penale parashikohet dënim me burg nga 2 deri në 5 vite, ndërsa gjoba administrative mund të arrijë deri në 20 mijë euro. Dënimi ashpërsohet në rastet kur autorët mbulojnë ose fshehin fytyrën për të mos u identifikuar, si dhe kur veprimet e tyre shkaktojnë persona të plagosur.
Ndërkohë, organizimi dhe nxitja e grupeve të dhunshme përbën një vepër penale më vete, do të dënohet me burgim nga 4 deri në 12 vite. Kjo dispozitë zbatohet edhe kur organizimi ose nxitja e grupeve të dhunshme kryhet përmes mjeteve informatike dhe telematike, përfshirë platformat dhe kanalet e komunikimit në internet.
Sipas policisë së Milanos, rreth 2 mijë të rinj morën pjesë në trazirat e së shtunës në mbrëmje. Nga rreth 50 personat e arrestuar gjatë fundjavës, më shumë se 30 ishin të mitur. Dekreti duhet të miratohet nga parlamenti italian brenda 60 ditësh për t'u kthyer në ligj.