
BEOGRAD- Ish-ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës Goran Vesiç është vendosur në pranga. Ish-zyrtari i lartë i qeverisë serbe është një mes 11 të arrestuarve për shembjen e çatisë në stacionin hekurudhor në Novi Sad. Në këtë ngjarje, për shkak të shembjes së çatisë prej betoni të ndërtesës së stacionit hekurudhor, 15 persona humbën jetën dhe 2 mbetën të plagosur. Goran Vesiç, tashmë i arrestuar, dha dorëheqjen e tij 5 ditë pas ngjarjes, por duket se nuk ka mjaftuar dhe tashmë është vendosur në pranga.
Që pas tragjedisë së 1 nëntorit, në Serbi ka pasur protesta masive. Fillimisht qytetarët, me duart e lyera me bojë të kuqe, kërkuan dorëheqjen e ministrit, kërkesë e cila u plotësua. Por duket se tashmë autoritetet serbe kanë nisur edhe një hetim më të thellë për ngjarjen e rëndë që tronditi vendin.
Ndërtesa e stacionit kryesor hekurudhor në Novi Sad u hap në korrik të vitit 2024, pas tre vjetësh të rindërtimit. Institucioni i hekurudhave serbe ka thënë në ditën e incidentit se streha e betonit që është shembur “nuk është rindërtuar dhe nuk ka qenë pjesë e renovimeve”. Megjithatë, ekspertët deklarojnë se edhe ajo pjesë ka qenë subjekt i rindërtimit Punimet për rindërtim janë kryer nga një konsorcium kinez./ZËRI