SHBA- Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka paralajmëruar për mundësi të veprimeve të mëtejshme amerikane ndaj një ishulli të vogël pranë bregut të Iranit, shtëpia e një terminali kryesor të naftës, që konsiderohet si shpirti ekonomik i vendit, shkruan BBC.
Në një intervistë për Financial Times të dielën, 29 mars, Trump tha se dëshiron të “marrë” naftën e Iranit dhe po shqyrtonte mundësinë e zaptimit të Ishullit Kharg. Ai shtoi se një operacion i tillë “do të thoshte që duhet të qëndronim aty [në Ishullin Kharg] për një kohë”.
Më 13 mars, Trump deklaroi se forcat amerikane kishin “shkatërruar të gjitha objektivat ushtarake” në ishull, por kishin shmangur që të godisnin infrastrukturën e naftës. Në fillim të këtij muaji, media amerikane Axios, duke cituar katër burime të njohura me çështjen, raportoi se administrata po konsideronte plane për të pushtuar ose bllokuar ishullin, për të ushtruar presion ndaj Iranit që të rihapte Kanalit të Hormuzit, një nga kanalet më të rëndësishme të transportit detar në botë, i vendosur në jug të bregut iranian.
Munden SHBA-të të marrin Ishullin Kharg?
Ka pasur spekulime për një kohë se a do të përpiqeshin forcat amerikane të merrnin ndonjëherë Ishullin Kharg. Zaptimi i tij nuk do të ndalte vetëm eksportet e naftës së Iranit, por gjithashtu mund të shërbente si platformë për sulme kundër territorit të kontinentit. Në intervistën për Financial Times, Trump tha: Ndoshta e marrim Ishullin Kharg, ndoshta jo. Kemi shumë opsione.