SHBA- Senati amerikan ka miratuar ditën e djeshme rezolutën procedurale për kandidaturën e Eric Wendt, i cili pritet të marrë postin e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri.
Në rezolutë u përfshinë për votim në grup edhe 73 emërime të tjera të administratës amerikane. Senati amerikan e miratoi rezolutën me 50 vota pro, 47 kundër dhe një abstenim. Kjo rezolutë i hap rrugën votimit dhe shqyrtimit përfundimtar të kandidaturës së Eric Wendt si ambasador i SHBA-së në Shqipëri nga Senati.
Nëse konfirmohet nga senatorët, Wendt do të jetë ambasadori i radhës amerikan në Shqipëri pas largimit të Yuri Kim në qershor të vitit 2023. Që prej largimit të saj, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka funksionuar nën drejtimin e të ngarkuarve me punë.
Presidenti Donald Trump e nominoi Wendt më 13 prill 2026. Më herët, kandidati paraqiti prioritetet e tij përpara Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë më 20 maj. Gjatë paraqitjes së tij, Wendt foli për prioritetet që do të jenë në fokus të tij në detyrën e re në Shqipëri. Ai theksoi se ndër fushat kryesore të bashkëpunimit SHBA-Shqipëri do të jenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siguria kibernetike, si dhe rritja e investimeve amerikane. Ish-ushtaraku amerikan ka më shumë se 34 vite përvojë në Ushtrinë e SHBA-së dhe në misionet e NATO-s./ZËRI