
KEPI- Një nënë nga Afrika e Jugut dhe dy bashkëpunëtorë të saj u dënuan me burgim të përjetshëm për trafikimin e vajzës së saj, e cila ishte vetëm 6-vjeçare. Rasti ka tronditur të gjithë vendin. Kelly Smith, partneri i saj Jaquen Appolis dhe miku i tyre Steven Van Ryn u dënuan për rrëmbim dhe trafikim të vogëlushes Jocelyn Smith.
Një dëshmitare tha se Kelly Smith i kishte thënë se ia kishte shitur vajzën e saj një "sangoma-je" (shëruesi tradicional) për 20,000 rand (1,100 dollarë) për shkak se vajza kërkohej për "sytë dhe lëkurën" e saj. Pavarësisht një hetimi të gjerë dhe përpjekjeve të policisë, Jocelyn Smith mbetet e zhdukur.
Pasi u shpallën dënimet të enjten, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Nathan Erasmus, tha se fakti që Kelly Smith, Jaquen Appolis dhe Steven Van Ryn ishin përdorues droge nuk ishte justifikim.
"Nuk mund të gjej asgjë që do t’i justifikonte dhe do t’i bënte të meritonin një ndëshkim më të lehtë se më i rëndi që mund të jap,"-deklaroi gjyqtari.
Përveç dënimit me burg, të tre u dënuan me 10 vjet burg edhe për rrëmbimin e të miturës./ZËRI