
SHBA- Një skandal në radhët e republikanëve ka tronditur administratën e presidentit amerikan Donald Trump. Zyrtarët e lartë kanë shkaktuar rrjedhje të dokumente të klasifikuara pasi në një grup në platformën “SDignal”, kishin përfshirë edhe një gazetar që po informohej për çdo gjë që po ndodhte. Lajmi u bë i ditur nga “The Atlantic”. Gjatë mbledhjes së senatit, lideri i pakicës, Chuck Schumer, e quajti këtë “një nga shkeljet më tronditëse të inteligjencës ushtarake”.
“Kjo është një nga shkeljet më tronditëse të inteligjencës ushtarake që kam lexuar deri më tani”, tha Schumer. Ai i kërkoi republikanëve të nisnin një hetim të plotë mbi mënyrën se si ndodhi kjo, dëmin e shkaktuar dhe si mund të shmanget në të ardhmen.
“Të gjitha zyrtarët qeveritarë që ishin pjesë e këtij grupi, kanë kryer një krim, edhe nëse ka ndodhur aksidentalisht”, shkroi senatori i Delaware, Chris Coons, në X.
“Nuk mund t’i besojmë askujt në këtë administratë të rrezikshme për të mbajtur amerikanët të sigurt.”
Kongresmeni nga Nju Jorku, Pat Ryan, e quajti incidentin “Fubar” (shkurtim për “Fucked Up Beyond All Recognition” – totalisht e dreqosur përtej diturisë) dhe kërcënoi të niste një hetim të menjëhershëm nëse republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve nuk veprojnë.
Sipas raportimit të The Atlantic, kryeredaktori Jeffrey Goldberg u ftua aksidentalisht në një bisedë grupi në Signal me zyrtarët e lartë të administratës Trump, përfshirë zëvendëspresidentitn JD Vance, sekretarin e shtetit Marco Rubio, këshilltarin e sigurisë kombëtare Mike Waltz, sekretarin e mbrojtjes Pete Hegseth dhe të tjerë.
Raporti tregon jo vetëm një keqmenaxhim historik të informacionit të sigurisë kombëtare, por edhe një zinxhir komunikimi potencialisht të paligjshëm, ku plane të ndjeshme ushtarake për sulmet ajrore kundër rebelëve Houthi në Jemen u ndanë në mënyrë të papërgjegjshme në një bisedë të koduar me funksione automatike të fshirjes së mesazheve.
“Kjo na ka bërë të dukemi të dobët përballë armiqve tanë”, tha kongresmeni nga Kalifornia, Ro Khanna, për The Guardian. “Duhet ta marrim kibernetikën shumë më seriozisht, dhe pres me padurim të udhëheq për këtë çështje”.
Si demokrati kryesor në Komitetin e Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Himes ka mbikëqyrur shumë seanca të klasifikuara, por rrjedhja e planeve të luftës përmes një bisede në Signal e ka tronditur.
“Nëse kjo është e vërtetë, këto veprime janë një shkelje flagrante e ligjeve dhe rregulloreve që ekzistojnë për të mbrojtur sigurinë kombëtare, përfshirë jetën e amerikanëve që shërbejnë në zona të rrezikshme,” tha ai. “Këta individë e dinë rrezikun katastrofik të transmetimit të informacionit të klasifikuar përmes sistemeve të paklasifikuara. Po të kishte bërë diçka të tillë një zyrtar më i ulët në gradë, do të humbiste menjëherë certifikatën e sigurisë dhe do të ishte subjekt i një hetimi penal”./ZËRI