
SHBA- Përfshirja e gazetarit Jeffrey Goldberg në grupin e mesazheve në platformën “Signal”, përveç se përmban sheklje të rrjedhjes së informacionit, gjithashtu është dhe shkelje ligjore e përdorimit të aplikacioneve të ndaluara. Kjo ngre shqetësime në lidhje me dy ligje federale që kërkojnë ruajtjen e të dhënave të qeverisë: Akti i Regjistrimeve Presidenciale dhe Akti Federal i Regjistrimeve.
"Ligji kërkon që mesazhet elektronike që ndodhin në një llogari jozyrtare të ruhen, në një farë mënyre, në një sistem zyrtar të mbajtjes së të dhënave elektronike. Signal është pjesë e kësaj rregullatoreje," tha Jason R Baron, ish-drejtor i çështjeve gjyqësore në Administratën Kombëtare të Arkivave dhe Regjistrimeve.
Komunikimet zyrtare të qeverisë duhet të ruhen automatikisht në sistemet e administratës, ose individët e përfshirë duhet të përcjellin mesazhet tek personat përgjegjës të administratës për t'i ruajtur ose kopjuar.
"Pyetja e hapur këtu është nëse këto komunikime janë arkivuar automatikisht," tha Baron për BBC. "Nuk është e qartë nëse kjo ka ndodhur."
Është gjithashtu e paqartë nëse individët në bisedë kishin ndërmarrë hapa të tjerë për të ruajtur të dhënat. Përdorimi i Signalit për të diskutuar sulmet ushtarake ngriti gjithashtu pyetje rreth sigurisë. Goldberg lajmëroi se mesazhet ishin planifikuar të fshiheshin automatikisht pas një jave.
“Duke supozuar se ndonjë nga bisedat në Signal mund të konsiderohet e klasifikuar, atëherë sipas udhëzimeve të Departamentit të Mbrojtjes, këto komunikime duhet të kishin ndodhur në një rrjet të klasifikuar qeveritar, ose në një rrjet me veçori të koduara të miratuara nga qeveria,” tha Baron.
"Ne të gjithë duhet të shqetësohemi për përdorimin e këtyre aplikacioneve të mesazheve elektronike për të shmangur kërkesat federale të mbajtjes së të dhënave," tha ai.
Ndalimi me ligj i përdorimit të “Signal”
Sipas një memorandumi të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Signal nuk duhet të përdoret për komunikimin e informacionit privat. Sipas një memorandumi të vitit 2023, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA e rendit Signal si një "aplikacion mesazhesh të pamenaxhuara", pikërisht kjo ngre pikëpyetje rreth përdorimit të tij nga zyrtarët. Sipas dokumentit, aplikacioni nuk duhet të përdoret për "qasjen, transmetimin, ruajtjen ose përpunimin e informacionit jopublik të DoD". Memorandumi rendit në mënyrë eksplicite Signal së bashku me aplikacionet e tjera të mesazheve, duke përfshirë iMessage dhe Whatsapp, që nuk duhet të përdoren nëse nuk autorizohet nëpërmjet një kërkese që tregon se përdorimi i tij është "kritik për përmbushjen e operacioneve të misionit".
Aplikacioni “Signal”
Signal është një aplikacion falas për mesazhe, por mos u habitni nëse nuk keni dëgjuar kurrë për të. Nuk është aq popullor sa WhatsApp dhe Messenger, të cilët mburren me miliarda përdorues. Aplikacioni, ka rreth 40-70 milionë përdorues mujorë, të cilët e përdorin atë kryesisht për veçoritë e avancuara të sigurisë me të cilat krenohet platforma. Signal të jep mundësinë të vendosësh një kod për çdo bisedë personale, për arsye sigurie. Si aplikacion mbledh informacione minimale nga përdoruesit e tij dhe më e rëndësishmja, nuk funksionon për fitim si rivalët e tij.
Është në pronësi të Signal Foundation, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA, dhe përfiton përmes donacioneve dhe jo reklamave që mund të gjurmojnë përdoruesit. E gjithë kjo do të thotë që ekspertët dhe gazetarët e sigurisë kibernetike e shohin si aplikacion të mirë Signal-in. Por nëse dikush ka qasje në telefonin tuaj, ata mund të shohin bisedat e juaja./ZËRI