PORTUGALI- Një ngjarje tragjike ka tronditur Portugalinë, ku një vajzë vetëm 18 muajshe humbi jetën pasi u harrua për rreth tetë orë brenda autobusit që e transportonte drejt çerdhes.
Ngjarja ndodhi në Almada, në distriktin e Setúbalit. Sipas mediave portugeze, vogëlushja, e identifikuar si Sofia, hipi në autobus rreth orës 08:00 të mëngjesit për t'u dërguar në qendrën e kujdesit ditor. Mungesa e saj nuk u vu re gjatë gjithë ditës. Vetëm rreth orës 16:00, kur nëna shkoi në çerdhe për ta marrë, stafi kuptoi se vogëlushja nuk kishte mbërritur. Punonjësit nxituan menjëherë drejt autobusit, ku e gjetën 18-muajshen pa shenja jete. Në vendngjarje mbërritën policia, ekipet e urgjencës mjekësore dhe Njësia Mobile e Ndërhyrjes Psikologjike, por pavarësisht përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, fëmija u shpall i pajetë.
Policia Gjyqësore Portugeze ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme që çuan në këtë tragjedi./ZËRI