Bota

Trump paralajmëroi shkarkimin e LaCivita! Thellohet skandali: Bosnja kërkon verifikimin e kompanisë që punoi për Berishën

Ministri i Jashtëm i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviç, u është drejtuar institucioneve më të rëndësishme amerikane, duke kërkuar verifikimin e aktiviteteve të kompanive të lobimit, përfshirë Continental Strategy, firmën që ka punuar edhe për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha në Shqipëri.

F.I
Trump paralajmëroi shkarkimin e LaCivita! Thellohet skandali: Bosnja
Elmedin Konakoviç

BOSNJË-HERCEGOVINA-Pak ditë pasi presidenti Donald Trump paralajmëroi shkarkimin e dy këshilltarëve, Chris LaCivita dhe James Blair, Bosnje-Hercegovina ka ndërmarrë hapin e radhës lidhur me çështjen e lobimit të Republika Srpska në Shtetet e Bashkuara.

Ministri i Jashtëm i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviç, u është drejtuar institucioneve më të rëndësishme amerikane, duke kërkuar verifikimin e aktiviteteve të kompanive të lobimit, përfshirë Continental Strategy, firmën që ka punuar edhe për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha në Shqipëri.

Euronews Bosnia raporton se më 12 tetor, Konakoviç ka dërguar 15 letra zyrtare në Uashington, përfshirë Departamentin e Shtetit, Departamentin e Thesarit dhe Departamentin e Drejtësisë. Në korrespondencën drejtuar autoriteteve amerikane kërkohet shqyrtimi i deklarimeve të kompanive të lobimit sipas ligjit amerikan FARA, i cili rregullon transparencën e veprimtarive të kryera në interes të klientëve të huaj.

Një nga kompanitë e përmendura është Continental Strategy LLC, e cila ka kontrata lobimi në Ballkan dhe lidhje me figura të rrethit politik të Trump.  Fokusi i kërkesës së Konaković është te aktiviteti i financuar nga Republika Srpska në SHBA dhe te pyetja nëse ai ka shërbyer për objektiva që bien ndesh me rendin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës.

Në qendër të letrave është një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës që lidhet me një kontratë lobimi të lidhur nga përfaqësia e Republika Srpska në Vjenë me kompaninë kanadeze Dickens & Madson. Sipas dokumenteve të cituara, një nga objektivat e kësaj kontrate ishte promovimi i pavarësisë së Republika Srpska.

Konaković thekson se Gjykata ka ndaluar përdorimin e fondeve publike të entitetit për aktivitete lobuese që bien ndesh me Kushtetutën e Bosnjë-Hercegovinës ose me vendimet detyruese të institucioneve të saj. Vendimi ndalon gjithashtu pagesat e mëtejshme në kuadër të marrëveshjeve të tilla dhe rithekson se Republika Srpska nuk ka sovranitet apo të drejtë për shkëputje.

Pikërisht mbi këtë bazë, ministri boshnjak kërkon që institucionet amerikane të verifikojnë edhe marrëveshjet e tjera lobuese të financuara nga Republika Srpska në Shtetet e Bashkuara.

Nga Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, kërkohet që OFAC të shqyrtojë nëse Dodik dhe persona të lidhur me të plotësojnë kushtet për sanksione sipas legjislacionit amerikan dhe urdhrave ekzekutivë që lidhen me Ballkanin Perëndimor.

Konakoviç e lidh çështjen edhe me sigurinë energjetike. Në letrën drejtuar Marco Rubios, ai kundërshton planet për një gazsjellës të ri përmes Serbisë që do të sillte vetëm gaz rus në Bosnje-Hercegovinë, duke argumentuar se një projekt i tillë do ta thellonte varësinë e vendit nga Moska.

Në të njëjtën kohë, ai paraqet projektin e interkonjeksionit jugor me Kroacinë si alternativën që përputhet me politikën amerikane të diversifikimit të burimeve energjetike në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Gjithçka nisi pasi Chris LaCivita dhe James Blair, udhëtuan për në territorin vetëqeverisës të Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë përpara zgjedhjeve. Raportohet se qeveria e Republika Srpska i mbajti dhe i pagoi ata për të këshilluar mbi çështjet e votimit. Detyra e tyre, sipas dy personave të njohur me angazhimin, ishte të jepnin këshilla mbi çështjet e votimit që lidheshin me entitetin e vogël ballkanik, i cili ka një popullsi prej 1.2 milion banorësh.

Por udhëtimi ka shkaktuar zemërim brenda botës së MAGA-s, me operativët që vënë në pikëpyetje pse dy nga këshilltarët e lartë politikë të Trump po punonin jashtë shtetit në një moment kaq kritik - dhe sa po paguheshin ata.

Poll

MOS HUMB