
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 17 nëntor, në orën 10:00, vendimin për Hashim Thaçin dhe katër të bashkëakuzuarit e tij, në gjyqin për pengim të drejtësisë. Vendimi do të jepet nga gjyqtari i vetëm Charles L. Gosnell.
Në këtë proces, Thaçi akuzohet së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin. Të pesë të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria ka kërkuar 6 vite burg për Hashim Thaçin, nga 3 vite për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun, si dhe 9 muaj burg për Kuçin. Gjithashtu, ka kërkuar që dënimi për Thaçin të jetë i njëpasnjëshëm me atë që mund t’i shqiptohet në procesin për krime lufte.
Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2023, Thaçi dyshohet se u ka përcjellë informacione konfidenciale për dëshmitarët personave që e vizitonin në paraburgim, si dhe u ka dhënë udhëzime lidhur me ndikimin e dëshmive. Të bashkëakuzuarit dyshohet se kanë ndihmuar në këtë skemë. Në shkurt të vitit 2026, Prokuroria paraqiti në gjykatë edhe regjistrime audio në mbështetje të pretendimeve të saj.
Mbrojtja ka kërkuar pafajësinë e të akuzuarve, duke kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë. Vendimi i 17 nëntorit do të përcaktojë nëse gjykata do t’i shpallë fajtorë apo të pafajshëm për akuzat që lidhen me administrimin e drejtësisë.
Ndërkohë, në procesin tjetër ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte, më 16 shtator, gjykata shpalli vendimin e shkallës së parë, duke dënuar Thaçin dhe të akuzuarit e tjerë për disa nga akuzat. Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite. Ata u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.