SHBA- Një 41-vjeçar shqiptar, Burim Havolli nga Kosova, humbi tragjikisht jetën në Brooklyn, Nju Jork, pasi u përpoq të ndalonte një person që po vidhte pako në hollin e ndërtesës ku punonte si mbikëqyrës.
Ngjarja ndodhi të mërkurën në mëngjes në Ocean Avenue, në zonën Flatbush, ku viktima pati një përleshje me grabitësit, dhe për pasojë mori trauma në kokë.
Policia u thirr rreth orës 08:00 dhe gjeti 41-vjeçarin me lëndime të rënda në kokë. Ai u dërgua menjëherë në spitalin Kings County, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Fqinjët thanë se Havolli u sulmua teksa tentonte të ndalonte grabitësin e pakove. Banorët e zonës u shprehën të tronditur, duke theksuar se lagja po bëhet gjithnjë e më e pasigurt.
Familjarët e viktimës e përshkruan Burimin si një njeri punëtor dhe të respektuar, i cili humbi jetën duke bërë detyrën e tij.
Blerim Havolli, vëllai i viktimës, ishte në lot ndërsa fliste për mënyrën se si të dy e mbijetuan luftën e Kosovës në vitin 1999 dhe arratisën në Amerikë për një jetë më të mirë.
“Ai e donte këtë vend. Ky vend na ka ndihmuar shumë”, tha Blerim Havolli. “Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë. Kjo është e trishtë. Ai la pas tre [fëmijë] dhe ishte vetëm 41 vjeç”, tha kushëriri Petrit Havolli.
Policia po heton motivin e sulmit. Një person i interesuar është marrë në pyetje, por ende nuk janë ngritur akuza./ZËRI