
TURQI-Arrestimi i Ekrem Imamoglut, kandidati për president i Turqisë, e ka kthyer vendin në një kaos. Nata e gjashtë pas burgosjes së rivalit të Rexhep Tajip Erdogan shënoi dhe një demonstratat më të mëdha antiqeveritare në Turqi në më shumë se një dekadë.
Trazirat filluan në Stamboll të mërkurën e kaluar dhe deri tani janë arrestuar mbi 1130 protestues të lidhur sipas pretendimeve qeveritare me 12 organizata terroriste. Pjesë e tyre janë edhe 9 gazetarë, të cilët janë marrë me forcë pas protestave në banesat e tyre dhe janë dërguar në qeli. Në disa raste u njoftua për përleshje të dhunshme mes policisë dhe demonstruesve. Policia përdori pompa uji me presion dhe gaz lotsjellës. Autoritetet në përditësimin e situatës thanë se janë plagosur 123 policë.
Erdogan në reagimin e tij të fundit lëshoi akuzat e radhës në lidhje me protestuesit dhe Partisë republikane Popullore. Ai foli edhe për një process të manipuluar të primareve që zyrtarizuan Ekrem Imamoglu si kandidat për president.
"Ata mbajtën një proces zgjedhor ku votat u hodhën publikisht, por u numëruan fshehurazi. Ata bënë një shfaqje teatrale. Kur të bjerë perdja, shfaqja e tyre do të përfundojë", tha presidenti turk.
Ndikimi politik dhe ekonomik, pas arrestimit të Ekrem Imamoglut
Ministria e Brendshme njoftoi se Imamoglu është shkarkuar nga detyra. Ekrem Imamoglu mund të jetë kandidat zyrtar për president vetëm nëse Komisioni Zgjedhor Turk YSK, i cili konsiderohet si pro-qeveritar, e konfirmon kandidaturën e tij. Por nëse hetimet për terrorizëm nuk janë ndërprerë deri në momentin e shqyrtimit të kandidaturës së tij nga komisioni, atehere kjo kandidaturë nuk ka gjasa të pranohet.
BE disa ditë më parë dhe qeveria gjermane të hënën, parlajmëruan sinjale të këqija për zhvillimin e demokracisë dhe marrëdhënieve dypalëshe. Monedha turke në një javë shënoi rënie me 16.5 përqind në raport me dollarin dhe euron. Nga ana tjetër bursa ka rimarrë vrullin, duke u mbyllur me një rritje prej gati 3% pas një jave në të cilën la mbi 16,5% në terren.
Imamoglu u arrestua më 19 mars. Ai ndodhet në paraburgim, në pritje të gjykimit për akuzat për korrupsion. Kryebashkiaku i Stambollit akuzohet për korrpusion dhe terror. Përveç akuzave për korrupsion dhe terrorizëm kandidatura e Ekrem Imamoglut rrezikohet edhe prej një veprimi tjetër: atij iu revokua javën e kaluar diploma e universitetit. Ky vendimi nuk është ende i formës së prerë. Diploma universitare është parakusht për të kandiduar për president në Turqi.
Imamoglu i ka mohuar akuzat e ngritura kundër tij dhe i ka quajtur ato shpifje, duke bërë thirrje për demonstrata në të gjithë vendin. Ndërsa partia e tij, CHP ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë derisa Imamoğlu të lirohet. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi duhet të mbahen më 2028, por Erdogan, 71 vjeç, mund të shpallë zgjedhje të parakohshme për ta shmangur kufizimin prej dy mandatesh, nëse vendos të garojë përsëri./ZËRI