
EKUADOR- Sapo kishim hyrë në laboratorin e fentanilit kur kuzhinieri hodhi një pluhur të bardhë në një tenxhere plot me lëng. Ne kishim veshur kostume dhe maska kundër gazit, por kuzhinieri kishte vetëm një maskë kirurgjikale. Ai dhe ndihmësi i tij kishin mbërritur këtu me nxitim në laborator për të përmbushur një porosi për 10 kilogramë fentanil. Edhe pse një inhalim i vetëm i kimikateve toksike mund të na vriste (siç na shpjeguan ata) ata tashmë kishin krijuar një tolerancë ndaj ilaçit vdekjeprurës.
Ne - dy gazetarë nga The New York Times dhe një fotograf - ishim përpjekur për muaj të tërë të hynim në një laborator të fentanilit të operuar nga Carteli Sinaloa, i cili sipas qeverisë amerikane është përgjegjës për një pjesë të madhe të produktit që vërshon Shtetet e Bashkuara.
Laboratori ku ne shkuam ishte fshehur në një shtëpi në zemër të qytetit të Culiacán, në një rrugë plot me këmbësorë, makina. Jashtë nuk kishte asnjë erë apo tym që mund të lintë që të kuptohej se brenda po zihej droga e fentanilit.
Gjithçka brenda ishte e errët, përveç një dhome në pjesën e pasme. Dy burra nxituan të shuanin zjarrin që ishte ndezur nga një tenxhere në sobë. Pas pak minutash ata shuan flakët dhe na treguan se në tenxhere kishte ndodhur një reaksion kimik.
Ne u futëm në laborator falë një prej kontakteve tona, i cili njihte një trafikant droge që bënte biznes me "kuzhinierët". Kontakti ynë i bindi burrat se ne nuk do të zbulonim identitetin e tyre ose vendndodhjen e laboratorit. Ata thanë se duke folur me gazetarët rrezikonin një hakmarrje vdekjeprurëse dhe zgjodhën të flisnin në kushte anonimiteti. "Kryekuzhinieri" dhe partneri i tij na shtrënguan duart dhe shefi i tyre, një mesoburrë që endej aty pranë, na lejoi të përdornim një telefon dhe një aparat fotografik. Ata na paralajmëruan që të përgatitemi se forcat e rendit mund të futeshin në dhomë në çdo moment.
Ushtria meksikane kishte bastisur një nga laboratorët duke i detyruar ata të çonin materialet e tyre në këtë vend të improvizuar.
“Nëse vijnë dhe na hedhin në erë, ju mund të qëndroni, thjesht hidhuni në dysheme. Ne duhet të vrapojmë,”- na tha kuzhinieri kryesor.
Pasi vendosëm maskat kundër gazit, kostumet mbrojtëse dhe dorezat, u futëm në kuzhinë.
Burrat kishin vendosur në sobë dy tenxhere të mëdha. Ata thanë se ishin në hapin e parë të procesit, duke aktivizuar përbërësin kryesor kimik të përdorur për të bërë fentanil. Kishte vetëm një dritare të vogël dhe një ventilator të vogël plastik për ajrim.
Kuzhinierët zakonisht mbajnë maska gazi kur bëjnë fentanil, për t'u mbrojtur nga ekspozimi toksik ndaj kimikateve. Por në nxitimin për të prodhuar drogën kishin marrë me vete vetëm maska që përdoreshin në kohën e pandemisë së koronavirusit.Kjo ishte arsyeja që asistentit kryesor të kuzhinierit iu desh të dilte me vrap nga kuzhina kur tymrat filluan të përshkojnë ajrin. Ai u kthye me cigaren në dorë dhe i dha kuzhinierit aceton, një tjetër përbërës kimik për fentanilin, i cili ishte në dollap pranë një shishe me salcë.
Kryekuzhinieri kishte filluar të punonte për kartelin kur ishte 16 vjeç, duke 'gatuar' metamfetamina dhe më pas fentanil.
Ndërsa punonte në një laborator droge, paralelisht përfundoi shkollën për stomatologji. Por dentisti nuk e ushtroi kurrë profesionin e tij. Që kur kërkesa për fentanil u rrit në Shtetet e Bashkuara disa vite më parë, ai ka bërë miliona dollarë me "punën" e tij. Ai tha se kishte blerë makina sportive, shtëpi dhe ferma. Ekipi i tij bleu një helikopter dhe një aeroplan të vogël.
Pasi veshi dorezat, ai futi dorën në një kovë plot me pluhur fentanil dhe filloi të masazhonte bojën blu. Ai tha se e përziente bojën sepse ky material së shpejti do të kthehej në pilula dhe përfundimisht do të vihej në dispozicion për shitje të konsumatorëve amerikanë. Ekipi i tij merr urdhra nga trafikantët në Meksikë, të cilët më pas paketojnë mallrat dhe i dërgojnë përtej kufirit. Ai ka pajisjet për të vulosur çdo tabletë me dizajnin që kërkon klienti dhe na tregoi një tabletë të printuar me një kurorë në stilin e logos së Rolex.
Por papritur, partneri i tij u shfaq në derë dhe i bëri shenjë me një gjest që të mbyllte kuzhinën. Anëtarët e ekipit të tij kishin marrë informacion se pranë po u vinte një patrullë e ushtrisë meksikane dhe se duhet të largoheshin.
"Duhet të shkojmë. Ne duhet të vrapojmë,"- tha kryekuzhinieri, duke fikur sobën dhe duke u nisur për në dalje.
Pasi hoqëm pajisjet mbrojtëse dhe rrëmbyen telefonat, kështu edhe ne dolëm me vrap nga shtëpia.
Meridith Kohut kontribuoi në raportimin nga Culiacán, Meksikë./ZËRI