
SEUL- Hipoteza fillestare se një tufë zogjsh mund të ketë qenë përgjegjëse për rrëzimin e aeroplanit "Jeju Air", e cila rezultoi në fatkeqësinë më vdekjeprurëse në tokën e Koresë së Jugut me 179 të vdekur dhe 2 të mbijetuar, është kundërshtuar nga ekspertët. Pikëpyetje të reja janë ngritur lidhur me rrethanat e tragjedisë.
Mungesa e dukshme e ndihmës për ulje, koha e uljes së avionit me dy motorë dhe hipoteza e shpendëve ngrenë pyetje që duhet të marrin përgjigje.

“Pse zjarrfikësit nuk vendosën shkumë në pistë? Pse nuk ishin në vendngjarje kur u ul avioni? Dhe pse avioni u ul kaq larg në pistë? Dhe pse kishte një mur me tulla në fund?,"- tha redaktori i "Airline News", Geoffrey Thomas.
Zyrtarët e Koresë së Jugut thanë se po hetonin shkakun e rrëzimit të Jeju Air Flight 7C2216. Jeju Air nuk pranoi të komentojë mbi shkakun e rrëzimit gjatë një konference për shtyp, duke u shprehur se prisnin fundin e hetimeve. Sipas rregullave globale të aviacionit, Koreja e Jugut do të nisë një hetim civil për rrëzimin që do të përfshijë edhe Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit në Shtetet e Bashkuara, vend ku avioni është projektuar dhe ndërtuar.
Ekspertët paralajmërojnë se aksidentet me avion zakonisht shkaktohen nga një kombinim faktorësh dhe mund të duhen muaj për të bashkuar sekuencën e ngjarjeve brenda dhe jashtë aeroplanit.
Afati kohor i rrëzimit
Brenda pak minutash, kulla e kontrollit lëshoi një paralajmërim për një tufë zogjsh, ndërsa pak sekonda më pas pilotët deklaruan "mayday" një sinjal për ndihmë dhe kërkuan të uleshin. Kjo është e dhëna se përse mëndohet se tragjedia është shkaktuar nga tufa e shpendëve.
“Kjo gjë nuk është e pazakontë, edhe problemet e trupit nuk janë të pazakonta. Goditjet nga shpendët ndodhin shpesh por nuk e rrezikojnë aeroplanin. Unë kurrë nuk kam parë që një "goditje" e tillë të pengojë hapjen e pajisjes që ul avionin,"- tha eksperti australian i sigurisë së aviacionit, Geoffrey Dell.
Është ende e paqartë se përse avioni nuk u ngadalësua pasi goditi pistën.
"Zakonisht kur avioni ulet me bark, fiken motorrët, pista mbulohet me shkumë dhe zakonisht e gjitha përfundon mirë."
Modeli Boeing i përfshirë në përplasje, një 737-800, është një nga avionët më të përhapur në botë me një rekord përgjithësisht të mirë sigurie dhe është zhvilluar shumë përpara variantit MAX. Edhe kapiteni kishte fluturuar që nga viti 2019 dhe kishte regjistruar 6,823 orë fluturimi, ndërsa oficeri i parë kishte nisur profesionin që nga viti 2023 dhe kishte regjistruar rreth 1650 orë fluturimi.
Çfarë thonë linja ajrore dhe Boeing?
Shefi ekzekutiv i Jeju Air, Kim E-bae tha se avioni nuk kishte pasur asnjë problem më parë dhe kërkoi falje.
“Mbi të gjitha u shprehim ngushëllimet më të thella dhe falje familjeve të pasagjerëve që humbën jetën në këtë aksident. Aktualisht shkaku i aksidentit është i vështirë për t'u përcaktuar dhe duhet të presim rezultatet zyrtare të hetimeve nga organet përkatëse qeveritare. Pavarësisht nga shkaku, si CEO, ndjej një ndjenjë të thellë përgjegjësie për këtë incident”, tha ai.
Boeing tha në një deklaratë: Ne jemi në kontakt me Jeju Air në lidhje me fluturimin 2216 dhe jemi të gatshëm t'i mbështesim ata. Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet që humbën të dashurit e tyre dhe mendimet tona mbeten me pasagjerët dhe ekuipazhin.
Të afërmit
Të afërmit e viktimave filluan të mbërrinin në aeroportin Moan. Deklarimi i emrave të 22 të vdekurve të parë krijoi skena të papërballueshme. Më pas, autoritetet vendosën se kjo nuk ishte mënyra e duhur dhe filluan të informojnë veçmas familjet. Në kaosin që u krijua në pritje të njoftimeve, tension u shkaktua edhe me gazetarët. Një i afërm kapi një mikrofon dhe u tha mediave që të mos bënin video, raporton Reuters.
“Ne nuk jemi majmunë në një kopsht zoologjik. Ne jemi familjarë të pikëlluar. Ne mund të shpërthejmë në çdo moment, megjithëse përmbahemi”.
Një tjetër i afërm i një prej viktimave tha në mikrofon: Më ka vdekur vëllai dhe nuk e di se çfarë po ndodh. Nuk e di.
7 ditë zie kombëtare
Qeveria e Koresë së Jugut ka shpallur 7 ditë zie kombëtare deri më 4 janar, ndërsa edhe Papa Françesku u lut për viktimat e rrëzimit të avionit.
“Mendimet e mia shkojnë për shumë familje koreano-jugore që hidhërohen sot pas rrëzimit dramatik të avionit. Unë bashkohem përmes lutjes me të mbijetuarit dhe të vdekurit”, tha Papa.
Ndërkohë, kutitë e zeza që përmbajnë të dhëna fluturimi dhe skedarë audio u gjetën nga rrënojat dhe pritet të ndihmojnë hetimet për shkakun e përplasjes ajrore më të madhe në vend. Avioni Jeju Air me 181 persona në bord u rrëzua në aeroportin Muan në jugperëndim të Koresë së Jugut gjatë një tentative për ulje emergjente. Teksa u ul me “bark”, doli nga pista, u përplas me gardhin e aeroportit, u nda në dysh dhe shpërtheu në flakë.
Në bord ndodheshin 176 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit. Numri përfundimtar i të vdekurve nga rrëzimi i avionit Jeju Air në ulje në Korenë e Jugut është 179 të vdekur. Nga 181 në bord persona në bord, dy anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan. Nga 179 viktima, 65 janë identifikuar, të tjerët do të identifikohen nëpërmjet mostrave të ADN-në./ZËRI