
ATHINË- Vendimi për dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri ka nisur që të shkaktojë reagime në Greqi. Reagimi i parë ka ardhur nga Babis Karathanos, mik i afërt i Belerit, i cili është i shpallur "non grata" nga autoritetet shqiptare. Ky i fundit e ka cilësuar vendimin e papranueshëm. Por ka edhe sugjerime për qeverinë greke, të cilën e udhëzon që të marrë masa drastike.
"Qeveria greke jo vetëm që duhet të sigurohet që të gjitha fondet europiane mos të shkojnë më tek Rama, por të ndalohet hyrja e shtetasëve shqiptarë në Greqi. Vendimi i marrë sot është i papranueshëm, thjesht politik dhe në thelb është bërë për të mos lejuar që Fredi Beleri të betohet si kryetar i zgjedhur i Bashkisë,"-thotë ai.
I pyetur nëse do të ketë reagim nga qytetarët e Himarës, Karathanos shtoi: Do ta shohim, ndoshta do të ketë reagime sepse kjo që ndodhi është shumë e padrejtë.
Por kush është Babis-Harallambos Karathanos?

Emri i Babis-Harallambos Karathanos është i lidhur me një ngjarje tragjike në jug të vendit, e ashtuquajtura masakra e Peshkëpisë. Në prill 1994 sulmohet në mesnatë posta policore kufitare në Gjirokastër dhe për pasojë vriten dy ushtarakë shqiptarë, një oficer dhe një pjesëtar i FA, i cili u ekzekutua teksa qëndronte në vendroje. Karathanos u arrestua një vit më pas në Greqi. Harallambos ka lindur në Greqi, por prindërit e tij janë me origjinë nga Dropulli. Gjatë karrierës së tij politike, ai ka qenë ish-deputet i partisë Demokracia e Re, më tej i partisë ekstremiste të djathtë greke, LAOS. Por më gjerësisht për publikun u njoh në vitin 2018, pas vrasjes së ekstremistit tjetër grek, Konstandinos Kaçifas. Pas sjelljeve antishqiptare gjatë ceremonisë së varrimit të Kaçifas ai u shpall "non grata" dhe nuk u lejua që të hynte më në territorin shqiptar për ceremoninë e 1-vjetorit të tij./ZËRI