KOSOVË- Në Kosovë kanë nisur lëvizjet për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë. Këtë të hënë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, bëri me dije lajmin, teksa sqaroi se projektligji nuk synon mbylljen e Dhomave të Specializuara.
“Kjo gjykatë nuk është imponuar nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por është krijuar me Kushtetutën dhe ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës. Kosova mori një vendim të vështirë dhe veproi me bindjen se nuk kishte asgjë për të fshehur. Sot, pas më shumë se një dekade, ekziston një fakt që kërkon përgjigje. Në Dhomat e Specializuara nuk është ngritur një rast lidhur me pretendimet e Martyt.
Nëse Kosova krijoi këtë Gjykatë me mision të posaçëm, a duhet që ky mision të ketë një kufi. Projektligji jep një përgjigje të qartë. Nuk kërkon mbylljen e Dhomave të Specializuara. Nuk kërkon që akuzat që lidhen me pretendimet për të cilat u krijuan Dhomat e Specializuara të mos hetohen. Ato raste do të vazhdojnë të jenë pjesë e mandatit të tyre. Kjo nuk është nismë për pandëshkueshmëri. Është nismë për të paracaktuar se kush ka të drejtë të gjykojë çfarë”, u shpreh Hamza.
Kjo nismë vjen pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me 81 vite burg në total. Më 16 shtator katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vite burgim në total nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim./ZËRI