
ITALI-Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni, dhe Kryeministri i Republikës Sllovake, Robert Fico, u takuan sot në Palazzo Chigi. Të dy kryetarët e qeverive shprehën kënaqësinë për intensitetin dhe cilësinë e dialogut politik, institucional dhe të ekspertëve midis Republikës Italiane dhe Republikës Sllovake.
Një nga temat që u diskutua ishte çështja e emigrantëve, ku Sllovakia shprehu mbështetjen e saj për qëndrimet italiane në kuadër të vendimit paraprak në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian mbi konceptin e një vendi të sigurt origjine. Sipas mediave në vendin fqinj, të dy vendet njohën rëndësinë e zgjidhjeve "inovative" si ajo që Italia ka nisur me Shqipërinë.
“E vlerësoj shumë qasjen pragmatike të Kryeministres suaj”, tha Robert Fico.
Po ashtu takimi u përqendrua gjithashtu në kontekstin më të gjerë evropian dhe gjeopolitik. Mësohet se të dy kryetarët e qeverive diskutuan mbështetjen e tyre për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë dhe angazhimin e tyre për rindërtimin e vendit në kuadrin e Konferencës së Rimëkëmbjes së Ukrainës që Italia do të presë në korrik 2025.