Bota

Kryeministri i Mongolisë shkarkohet për një çantë "Dior"

Në rrjet u shfaqën foto të djalit të Oyun-Erdene dhe të dashurës së tij, e cila mbante veshur një çantë të zezë Dior dhe disa çanta pazari, ndërsa ishin me pushimet e fejesës.

k.m.

Kryeministri i Mongolisë shkarkohet për një çantë

ULAN-BATORI- Kryeministri i Mongolisë Luvsannamsrain Oyun-Erdene ka dhënë dorëheqjen pasi fotot në rrjetet sociale të stilit të jetesës luksoze të të birit nisën një hetim ndaj tij, por edhe protesta masive në vend. Në rrjet u shfaqën foto të djalit të Oyun-Erdene dhe të dashurës së tij, e cila mbante veshur një çantë të zezë Dior dhe disa çanta pazari, ndërsa ishin me pushimet e fejesës.

Protestuesit vunë në pikëpyetje se si familja e Oyun-Erdene mund të përballonte një jetë kaq luksoze. Pas publikimit të fotove, organi i antikorrupsionit në vend nisi hetimet ndaj kryeministrit. Sot, kreu i qeverisë, u përball me një vetëbesim, të cilin e humbi. Kreu i qeverisë kishte nevojë për mbështetjen e të paktën 64 prej 126 anëtarëve të parlamentit, por nuk e "fitoi".

"Ishte një nder t'i shërbeja vendit dhe popullit tim në kohë vështirësish, duke përfshirë pandemitë, luftërat dhe tarifat,"- tha ai pas votimit.

Qindra protestues, shumë prej të cilëve të rinj, kishin dalë në rrugë për dy javë para votimit, duke kërkuar dorëheqjen e Oyun-Erdene. Sipas Transparency International, Mongolia ka parë një përkeqësim të korrupsionit që kur Oyun-Erdene erdhi në pushtet. Vitin e kaluar, ajo u rendit e 114-ta nga 180 vende për sa i përket transparencës qeveritare. 

Si një ish-shtet komunist i vendosur midis Rusisë dhe Kinës, Mongolia ka qenë në tranzicion drejt demokracisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990. Korrupsioni është një problem i vazhdueshëm. Vitin e kaluar, prokurorët amerikanë kërkuan të konfiskonin dy apartamentet e ish-kryeministrit mongol Sukhbaatar Batbold në Nju Jork, të cilat dyshohet se i bleu duke përdorur fondet e minierave. 

Në vitet e fundit, Mongolia është përpjekur të ndërtojë lidhje më të ngushta me Perëndimin, duke i listuar Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane si aleatët e saj të politikës së jashtme./ZËRI

Poll

MOS HUMB