ITALI- Gaia Costa, një 24-vjeçare nga Sardenja, u aksidentua për vdekje nga bashkëshortja e drejtorit ekzekutiv të Lufthansa-s, Viviane Spohr. Dëshmitarët okularë raportuan se 24-vjeçarja fatkeqe po ecte në një vendkalim për këmbësorët, por sërish u përplas nga fuoristrada e drejtuar nga Spoor edhe pse e reja ia kishte bërë disa herë me duar 51-vjeçares që të ndalonte. Por ndryshe nga dëshmitarët, avokati i mbrojtjës i gjermanes ka një tjetër version.
Avokati i Spohr tha se klientja e tij ishte ndalur në kryqëzim dhe më pas ishte nisur përsëri duke menduar se nuk do të kishte më këmbësorë.
"Zonja Spohr ndaloi në vendkalim, kjo u konfirmua nga dëshmitarët. Kur pa një grup këmbësorësh që po kalonin vendkalimin, priti. Pastaj u nis, pa e kuptuar se vajza ishte ende në vendkalim. Ajo e goditi me makinën, e cila është automatike dhe shumë e rëndë. 51-vjeçarja nuk u largua kurrë nga vendi i ngjarjes. Ajo ndaloi automjetin, doli menjëherë dhe u përpoq të ofronte ndihmën e parë. Megjithatë, pas një përpjekjeje fillestare për ta mbajtur në jetë të renë, ajo humbi ndjenjat për vete dhe ra pa ndjenja,"- tha Angelo Merlini për BILD.
Por sipas dëshmitarëve, shoferja e fuoristradës fillimisht t'i jepte mjetit për disa metra, pa e ditur se çfarë kishte ndodhur. Ajo u ndalua nga një kalimtar i cili e thirri përsëri, duke bërtitur dhe duke i goditur xhamin: A e pe çfarë bëre?
Vetëm atëherë gruaja e kuptoi tragjedinë dhe i ra të fikët. Ajo rezultoi negative për alkool dhe drogë, ndërkohë po vijojnë hetimet për të kuptuar nëse ajo ishte në telefon në momentin kur ndodhi aksidenti. Po ashtu, mjeti u sekuestrua dhe nga vendi i ngjarjes u morën edhe pamjet filmike. Një autopsi do të kryhet mbi trupin e Gaias për të sqaruar rrethanat dhe shkakun e vdekjes. Ndërkohë, Vivian Spohr është larguar nga Italia dhe tani ndodhet në Gjermani, megjithëse përballet me akuzën për vrasje të paqëllimshme.
"Autoritetet nuk e konsideruan të nevojshëm ndalimin e saj, pasi nuk kishte qëllim për t'u arratisur,"- shpjegoi përfaqësuesi i saj ligjor.
Kush është Vivian Alexandra Spohr?
Për gjermanët ajo njihet si një drejtuese ekzekutive me përvojë në marrëdhëniet me publikun dhe komunikimet e korporatave. Vivian Spohr është bashkëshortja e njërit prej burrave më me ndikim në aviacionin evropian, Carsten Spohr, Drejtor Ekzekutiv i kompanisë së fluturimeve "Lufthansa". Në të njëjtën kompani, Vivian ka mbajtur role të larta brenda Fondacionit Lufthansa, ku është presidente nderi, dhe ka marrë pjesë në shumë evente zyrtare të linjës ajrore gjermane.
Pausania Gaia ishte vajza e Alfredo Costa-s, një përfaqësues i njohur i sindikatës CISL në Gallura. I gjithë komuniteti i Tempio-s është në shok. Bashkia ka shpallur një ditë zie dhe ka anuluar të gjitha ngjarjet e planifikuara për ditët në vijim, përfshirë Festivalin Faber./ZËRI