FRANCË- Qeveria franceze është nën presion në rritje për sigurinë e muzeve, ndërsa policia vazhdon kërkimin për hajdutët të cilëve iu deshën shtatë minuta për të vjedhur xhevahire të paçmuara nga Luvri, muzeu më i vizituar në botë.
“Ka shumë muze në Paris, shumë muze në Francë me vlera të pacmuara. Fakto që këto vende ekspozimi nuk ishin të siguruara është një pyetje që mund ta bëjmë. Që kishte një vinc në publik, është një pyetje që mund të bëhet. Si një njeri që ka shërbyer ministër i Brendshëm, e di që nuk mund të sigurojmë plotësisht të gjitha vendet. Ajo që është e sigurt është se ne dështuam, sepse dikush ishte në gjendje të vendoste një vinc të madh në rrugët e hapura të Parisit për të lejuar disa njerëz që të afrohen për disa minuta dhe të marrin bizhuteri të pacmuara, duke i dhënë Francës një imazh të mjerueshëm”, tha ministri i Drejtësisë, Gerard Darmanin.
Policia po përpiqej të zbulonte se çfarë niveli kriminelësh të organizuar ishin përfshirë në bastisjen shumë profesionale, tha ai. Një ekip prej 60 hetuesish po punon mbi teorinë se bastisja ishte planifikuar dhe ekzekutuar nga një grup i krimit të organizuar.
Kjo ndezi një debat mbi mungesën e sigurisë në muzetë e Francës, të cilën Ministri i Brendshëm i vendit Laurent Nunez e pranoi si një "pikë të dobët të madhe". Sipas ish-shefit të policisë së Parisit, ishte "qartësisht një ekip që kishte bërë detyrën e tij" pasi dritaret u prenë me një mjet elektrik.
Presidenti, Emmanuel Macron , tha në rrjetet sociale se po bëhej gjithçka për të kapur autorët dhe për të rikuperuar thesaret e vjedhura.
Ministria e kulturës tha se alarmet e sigurisë ishin aktivizuar kur u hapën arkat dhe rojet e sigurisë së muzeut menjëherë vunë në zbatim protokollin e sigurisë. Hajdutët ikën, duke lënë pas disa nga pajisjet e tyre.
Hajdutët prenë hekurat e dritares dhe vodhën bizhuteritë e Napoleon Bonapartit. Ata kanë vjedhur nëntë objekte nga koleksioni i bizhuterive të Napoleonit dhe Perandoreshës, përfshirë një gjerdan, një karficë dhe një kurorë. Burime brenda muzeut konfirmojnë se diamanti legjendar “Régent”, më i madhi i koleksionit me peshë mbi 140 karatë, nuk është prekur nga grabitja./ZËRI
