Bota

“Kjo nuk është Amerika që besojmë”/ Barack Obama mbështet publikisht protestuesit kundër ICE në Minneapolis

Në një intervistë të publikuar të shtunën me YouTuber-in Brian Tyler Cohen, Obama e cilësoi dislokimin e mbi 2 mijë agjentëve federalë si një veprim të paprecedentë, duke theksuar se agjentët u vendosën pa udhëzime dhe trajnim të qartë.

l.k
“Kjo nuk është Amerika që besojmë”/ Barack Obama
Operacioni i Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave (ICE) në shtetin e Minnesota-s dhe Barack Obama

SHBA- Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për protestuesit në Minneapolis, duke kritikuar ashpër operacionin e Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave (ICE) në shtetin e Minnesota-s.

Në një intervistë të publikuar të shtunën me YouTuber-in Brian Tyler Cohen, Obama e cilësoi dislokimin e mbi 2 mijë agjentëve federalë si një veprim të paprecedentë, duke theksuar se agjentët u vendosën pa udhëzime dhe trajnim të qartë.

“Është e rëndësishme të pranojmë natyrën e paprecedentë të asaj që po bënte ICE në Minneapolis dhe St. Paul, mënyrën si po dislokoheshin agjentët federalë, pa udhëzime apo trajnim të qartë, duke nxjerrë njerëz nga shtëpitë e tyre, duke përdorur fëmijë pesëvjeçarë për të joshur prindërit, gjithçka që pamë, duke hedhur gaz lotsjellës ndaj turmave që thjesht qëndronin aty pa shkelur ligjin,” tha Obama gjatë intervistës.

Po ashtu, ish-presidenti theksoi se populli amerikan po e dënon sjelljen e shtetit ndaj emigrantëve, duke u shprehur se vetë ata thonë: “Kjo nuk është Amerika në të cilën ne besojmë.”

“Tani po vihemi në provë, dhe lajmi i mirë është se ajo që pamë në Minneapolis dhe St. Paul, dhe ajo që po shohim në vende të tjera të vendit, ka qenë populli amerikan që thotë ‘jo’. Të paktën një numër i madh amerikanësh që thonë: ‘Kjo nuk është Amerika në të cilën ne besojmë,’” deklaroi ai.

Në fillim të shkurtit 2026, në Minneapolis dhe Minnesota u zhvillua një operacion i gjerë i Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave (ICE), ku mbi 2 mijë agjentë federalë u dislokuan për të goditur emigracionin e paligjshëm, si pjesë e politikave kundër emigracionit të administratës së Presidentit Donald Trump.

Operacioni çoi në përplasje me komunitetin lokal dhe protesta të shumta, veçanërisht pas vrasjes së Renee Good dhe Alex Pretti nga agjentë federalë. Situata u përshkallëzua për disa ditë, deri në njoftimin për reduktimin e pranisë së agjentëve federalë në mes të shkurtit 2026 nga Tom Homan, i ngarkuari për çështjet e kufirit në SHBA./ZËRI

Poll

MOS HUMB