KOSOVË- Për më shumë se dy dekada, lufta e Kosovës është trajtuar përmes historisë, politikës dhe kujtesës kolektive. Tashmë, këtij rrëfimi pritet t’i shtohet edhe një kapitull tjetër, ai gjyqësor.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin aktgjykimin për katër ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat pretendohet se janë kryer gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999.
Procesi ndaj tyre ka zgjatur prej vitesh dhe është konsideruar një nga gjyqet më të rëndësishme për Kosovën, jo vetëm për shkak të figurave të përfshira, por edhe për ndikimin që mund të ketë në mënyrën se si do të shihet periudha e luftës dhe roli i UÇK-së.
Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që prej vitit 2020, kur u bë publike akt-akuza ndaj tyre. Prokuroria pretendon se ata kishin rol drejtues në një strukturë që synonte kontrollin përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe largimit të kundërshtarëve politikë, duke përfshirë serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në.
Sipas akt-akuzës, të akuzuarit mbajnë përgjegjësi edhe për veprimet e personave nën komandën e tyre. Gjatë procesit gjyqësor janë shqyrtuar qindra prova dhe janë dëgjuar dëshmitarë nga të dyja palët.
Prokuroria ka kërkuar dënim për katër të akuzuarit, ndërsa mbrojtja ka kundërshtuar akuzat, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të centralizuar dhe se ish-drejtuesit e saj nuk kishin kontroll të drejtpërdrejtë mbi veprimet në terren.
Figurat kryesore të mbrojtjes kanë theksuar gjithashtu se UÇK-ja ishte një forcë e krijuar në rrethana lufte dhe se komandimi i saj ndryshonte nga modelet klasike ushtarake.
Vendimi i gjykatës pritet me interes të madh në Kosovë dhe më gjerë. Për një pjesë të shoqërisë kosovare, Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij mbeten figura të luftës për çlirim dhe gjykimi ndaj tyre shihet me skepticizëm. Të tjerë e konsiderojnë procesin si një përpjekje për të trajtuar pretendimet për krime të kryera gjatë konfliktit.
Një nga çështjet më të ndjeshme lidhet me ndikimin që mund të ketë vendimi mbi perceptimin për UÇK-në. Një vendim që i shpall fajtorë mund të ndikojë në debatin publik dhe politik rreth luftës së Kosovës, ndërsa e kundërta do të shihej nga mbështetësit e tyre si konfirmim i qëndrimit se akuzat ishin të pabazuara.
Gjykata Speciale u krijua pas raportit të vitit 2010 të ish-senatorit zviceran Dick Marty dhe ndryshimeve ligjore në Kosovë. Ajo është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionon në Hagë me gjyqtarë ndërkombëtarë.
Pavarësisht rezultatit, akt-gjykimi pritet të ketë ndikim përtej katër të akuzuarve, duke prekur debatin mbi të kaluarën e Kosovës, rolin e UÇK-së dhe mënyrën se si do të kujtohet një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit./REL