
KOSOVË- Një person, shtetas i Maqedonisë së Veriut është vënë në pranga nga autoritetet e Kosovës pasi akuzohet për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara 2-euroshe dhe 50-euroshe. Mediat e Kosovës shkruajne se të dyshuarit i është caktuar masë ndalimi prej 48 orëve.
Në anën tjetër, në Maqedoninë e Veriut është thënë se janë kryer kontrolle në tri vende dhe janë sekuestruar makineri për prodhim të parave të falsifikuara me prerje metalike 2 euro, shabllone parash dhe materiale të tjera për prodhimin e monedhave të falsifikuara, duke përfshirë gjithë lëndën e parë të prodhimit të tyre.
Përmes një komunikate të përbashkët të autoriteteve kosovare edhe atyre maqedonase, është thënë se operacioni është mbështetur prej Agjencisë Evropiane të Policisë (EUROPOL) dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (Eurojust).
Qarkullimi i këtyre parave ka çrregulluar tregun e parave. Vitin e kaluar, Policia e Kosovës pati iniciuar qindra raste për veprën penale “falsifikim i parasë” pasi vlerësohej se në treg qarkullonin qindra mijëra euro false.