
GREQI- Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar mbledhjen e parë me deputetët që dolën fitues nga lista e Demokracisë së Re, në zgjedhjet europiane të së dielës. 5 prej eurodeputetëve të zgjedhur ishin të pranishëm fizikisht në zyrën e kryeministrit grek. Ndërkohë që Fredi Beleri, dhe një eurodeputet tjetër grek, iu bashkuan mbledhjes online.
Kreu i qeverisë greke ka anuluar një udhëtim në Jordani dhe ka organizuar shumë takime me bashkëpunëtorët e tij për të përcaktuar shkaqet e humbjes së 1 milion votuesve të djathtë në zgjedhjet e së dielës për PE.
Madje flitet se në orët e ardhëshme deri ditën e premte ai mund të kryejë një reformatim të madh të qeverisë.
Gjithashtu thuhet se në analizat për dobësimin e Demokracisë së Re brenda 10 muajve ka luajtur rol mospjesmarrja në votime e një pjese të madhe të votuesve të qëndrës të cilët janë zhgënjyer nga politikat qeverisëse të konservatorëve muajt e fundit.
Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, mbahet në burg që prej Majit të vitit të kaluar, nën akuzën e korrupsionit zgjedhor.
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e shpalli atë fajtor për ‘korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe e dënoi me 2 vjet burg.
Ai pritet të lërë qelinë në shtator, në rast se gjykata e Apelit nuk e rrëzon këtë vendim.
Beleri është dënuar më parë për vepra të urrejtjes etnike në Shqipëri në vitin 2002, ndërsa në Greqi në vitin 1995 ishte një nga shtatë personat e arrestuar në kufirin greko-shqiptar në dy automjete në të cilat u gjetën armë, plumba, thika, uniforma ushtarake dhe kapuça.
Procesi gjyqësor ndaj tij u bë shkak për një krisje të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës, pasi kjo e fundit kërcënoi se do të bllokonte bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. /ZËRI