Politikë

Fredi Beleri siguron nga burgu mandatin si eurodeputet, Pirro Dhima mbetet jashtë PE-së. Sa vota mori kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës

Fredi Beleri u rendit si eurodeputeti i katërt më i votuar nga partia e kryeministrit Mitsotakis

E.K
Fredi Beleri siguron nga burgu mandatin si eurodeputet, Pirro Dhima mbetet
Beleri, Mitsotakis dhe Dhima

GREQI- Partia Demokracia e re e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, ka kryesuar në zgjedhjet europiane të së dielës, duke siguruar që të fitojë 7 nga 21 ulëset që i takojnë në parlamentin europian Athinës zyrtare. Sipas rezultateve të deritanishme në rang vendi, partia që drejtohet nga kryeministri grek, ka fituar rreth 28% të votave, e cila përkthehet në 7 deputetë, përfshirë edhe kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës në Shqipëri, Fredi Beleri, i cili prej më shumë se një viti mbahet i burgosur në Shqipëri.

Beleri ka marrë 235 mijë vota duke u renditur i katërti mes 7 deputetëve që kanë dalë nga partia Demokracia e Re e kryeministrit grek Mitsotakis. Ndërkohë që jashtë listës së eurodeputetëve mbetet Pirro Dhima, kampioni që mohoi origjinën shqiptare, dhe prej vitësh ka përfaqësuar Shqipërinë. Dhima u rendit i teti në garë, duke qenë shumë pranë marrjes së një mandate si eurodeputet. Pas zgjedhjes së Belerit, shumë pikëpyetje mbeten nëse ai do ta gëzojë mandatin, sa kohë që është i dënuar nga shkalla e parë në Shqipëri. Në Himarë nisi festa mbrëmjen e djeshme, ndërkohë që vetë Beleri në një reagim nga burg, tha se fitorja e tij ishte ajo e dritës mbi errësirën.

“Gjatë të gjitha muajve të aventurës sime, më jepte forcë besimi im se drita gjithmonë fiton ndaj errësirës. Dhe se forca e demokracisë mund të përmbysë çdo praktikë puçiste, mjafton që të ketë vullnet dhe besim në një qëllim më të lartë. Siç kishim ne që dhamë këtë luftë. Një luftë për demokracinë, shtetin e së drejtës, liritë dhe dinjitetin e qytetarëve. Lufta u fitua në kushte të vështira, të paimagjinueshme për një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane. Dhe u fitua. Falë nderit, patriotizmit dhe krenarisë së Grekëve.

Dua të falënderoj nga zemra të gjitha Greket dhe Grekët që më nderuan me votën e tyre. Familjen time që u bë gjatë kësaj periudhe mbështetja dhe zëri im. Miqtë në gjithë Greqinë që qëndruan pranë meje në provën më të vështirë të jetës sime. Dhe natyrisht kryeministrin Kyriakos Mitsotakis që më dha mundësinë të jem kandidat, për të cilën do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Vëllezërve të mi të helenizmit verior dua t’u them se nga sot edhe ata mund të ndihen më të fortë. Dhe çdo bashkëqytetari tonë se si eurodeputet do të punoj shumë për të qenë i dobishëm për partinë time, Demokracinë e Re dhe mbi të gjitha për atdheun tone”, deklaron Beleri në reagimin e tij.

Beleri u dënua me 2 vite burg në Shqipëri pasi u kap duke blerë vota në zgjedhjet vendore të 2023. Çështja ndaj tij ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar në Apelin e Posaçëm, ndërkohë që mes përplasjeve të brendshme në parti, Mitsotakis vendosi që ta fuste në listën e kandidatëve për eurodeputetë.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB