Bota

Netanyahu i hapur për përfundimin e luftës, por me disa kushte

Sipas Izraelit, 58 pengje mbeten nën robërinë e Hamasit dhe rreth 23 prej tyre thuhet se janë gjallë.

F.m
Netanyahu i hapur për përfundimin e luftës, por me disa kushte
Benjamin Netanyahu

IZRAEL- Në një ndryshim të dukshëm në qasje, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka lënë të kuptohet se Tel Avivi është i hapur për një marrëveshje me Hamasin për të "përfunduar luftimet" në Gaza, duke përcaktuar kushtet për një marrëveshje të tillë. Zyra e Kryeministrit (PMO) tha se ekipi negociator i pengjeve në Doha po shteronte "çdo mundësi" për një marrëveshje me grupin palestinez për të ndërprerë përkohësisht luftimet ose për t'i dhënë fund përgjithmonë luftës. 

Sipas PMO-së, ekipi po shqyrton propozimin e të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff, për një shkëmbim të kufizuar pengjesh dhe një armëpushim afatshkurtër, ose një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t'i dhënë fund luftës duke liruar të gjithë pengjet në Gaza dhe duke dorëzuar dhe dëbuar plotësisht operativët e Hamasit.

“Edhe në këtë moment, ekipi negociator në Doha po punon për të shfrytëzuar çdo mundësi për një marrëveshje -- qoftë sipas kornizës Witkoff apo si pjesë e përfundimit të luftimeve, që do të përfshinte lirimin e të gjithë pengjeve, dëbimin e terroristëve të Hamasit dhe çarmatimin e Rripit të Gazës”, tha zyra e tij në një deklaratë.

Sipas Izraelit, 58 pengje mbeten nën robërinë e Hamasit dhe rreth 23 prej tyre thuhet se janë gjallë.

Sinjali i përfundimit të luftës tregon një ndryshim të madh në politikën e Izraelit, i cili vazhdimisht ka thënë se luftimet në Gaza nuk do të mbarojë pa shkatërrimin e Hamasit si fuqi ushtarake dhe qeverisëse. Izraeli ka bllokuar hyrjen e furnizimeve mjekësore, ushqimore dhe karburantit në Gaza që nga fillimi i marsit, në përpjekje për të ushtruar presion mbi Hamasin që të lirojë pengjet izraelite dhe madje ka miratuar plane që mund të përfshijnë kapjen e të gjithë Rripit të Gazës dhe kontrollin e ndihmës.

Çfarë thotë Hamasi?

Hamasi ka thënë se do t’i lirojë pengjet vetëm në këmbim të një armëpushimi izraelit, ndërsa ndërmjetësuesit nga Egjipti dhe Katari, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, filluan një raund të ri bisedimesh indirekte për armëpushim midis dy palëve të shtuar.

Megjithatë, duke i komplikuar më tej bisedimet për armëpushim, raportet në mediat izraelite dhe arabe thanë se udhëheqësi i Hamasit, Mohammed Sinwar, mund të jetë vrarë në një sulm ajror izraelit, një pretendim që as nuk është konfirmuar dhe as nuk është mohuar nga Hamasi dhe as nga Izraeli. 

Në sulmet e natës më herët sot, ushtria izraelite vrau të paktën 100 palestinezë në të gjithë Rripin e Gazës. Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite, e cila ka zgjeruar sulmet e saj në enklavë, duke vrarë qindra njerëz që nga e enjtja, në përgatitje të një ofensive të re tokësore për të arritur "kontroll operacional" në disa pjesë të Gazës.

Presioni po rritet mbi Netanyahun?

Në Izrael, Einav Zangauker, nëna e pengut të Hamasit, Matan Zangauker, tha se kryeministri Benjamin Netanyahu po refuzonte t’i jepte fund luftës në këmbim të lirimit të pengjeve të mbetura nga Hamasi për shkak të interesave të tij politike.

"Qeveria izraelite ende këmbëngul vetëm në marrëveshje të pjesshme. Ata po na torturojnë qëllimisht. Kthejini fëmijët tanë mbrapsht! Të 58 prej tyre", tha Zangauker në një postim në platformën sociale X.

Poll

MOS HUMB