
KOSOVË- Pjesëtarët e FIT-it, Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës kanë dalë sot më 1 nëntor në protestë para Qeverisë, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Protesta u zhvillua për të shprehur pakënaqësitë sa i përket rrezikshmërisë, pagës, por edhe për shtesat e tjera të propozuar nga Kryeministrti Albin Kurti pak ditë më parë. Kurti përcaktoi vlerën e shtesës prej 150 euro mbi pagën bazë. Të shfaqur me maska në fytyrë për të ruajtur identitetin, pjesëtarët e njësisë elitë, qëndruan të heshtur, duke kërkuar të mos trajtohen njësoj, për shkak të rrezikshmërisë që kanë në punën e tyre.
Kërkesat: Kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirjen në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të caktohet në 50 përqind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës. Kërkojmë dhe mirëkuptim në këtë aspekt pasi jemi pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe nuk dëshirojmë që të përdoremi nga askush për qëllime politike.
Ndërkohë gjatë protestës, përfaqësuesi i FIT-it theksoi se pakënaqësitë e tyre nuk datojnë nga sot, por prej më shumë se 10 vitesh, ndërsa u shpreh se “kemi marr premtime e asnjëra nuk është realizuar”.
“Kemi dëshmuar veten në raste të shumta dhe në sulmin e fundit të 24 shtatorit. Kërkojmë nga ana juaj që kërkesa për shtimin e rrezikshmërisë të merret parasysh. Jemi njësi elite e Policisë së Kosovës. Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga sot, por më shumë se 10 vite kemi marr premtime e asnjëra nuk është realizuar. Tek ligji i pagave edhe pse kemi kërkuar ndryshim para nëntë muajsh, kërkesat tona nuk janë realizuar. Kryeministër mos luani me dinjitetin tonë dhe me ndjenjat e familjeve tona. Kemi dëshmuar veten në raste të shumta dhe në sulmin e fundit të 24 shtatorit. Kërkojmë nga ana juaj që kërkesa për shtimin e rrezikshmërisë të merret parasysh”, theksoi ai.
Protesta para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës solli reagime nga Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se Qeveria ka pasur synim përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurim të pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit të policisë. Svelç gjithashtu zbuloi se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro.
Reagimi i plotë i Svelçës:
Republika e Kosovës është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë. Por, Republika e Kosovës është e themeluar mbi sakrificën e luftës për liri, me akte heroike dhe humbje në njerëz. Mbrojtësit e Republikës sot janë njerëzit më të vlerësuar prej popullit të Kosovës. Kërkesat janë të shumta dhe ka kategori shoqërore të cilat kanë shumë vështirësi përgjatë jetesës së tyre.
Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë.
Me marrjen e mandatit, pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës i kemi gjetur pa uniforma, pa pajisje mbrojtëse për jetën e tyre, pa kushte të punës e me ushqim të mangët e jo cilësor. Nga marrja e mandatit, deri në votimin e buxhetit për vitin 2024, kemi rritje për mbi 30% në buxhetin total të Policisë, përderisa, në investimet kapitale kemi rritje për 300%. Nga viti 2021, buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar. Në vitin 2021, buxheti ka qenë më pak se gjysmë milioni për pajisje operacionale ndërsa këtë vit është mbi 9 milionë euro.
Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro.
Angazhimi ynë për shtet dhe forcim të tij do të jetë i pakursyer dhe i pandalshëm me të gjithë ata të cilët përkundër sfidave e kanë vullnetin. Unë falënderoj edhe njëherë të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme e veçanërisht të Policisë së Kosovës për angazhimin dhe sakrificën drejt një shteti të drejtë dhe prosperues.
Një reagim ka ardhur edhe nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili e ka konsideruar të drejtë kërkesën e forcave të policisë ndaj Qeverisë. Haradinaj në reagimin e tij i ka bërë thirrje Kurtit të respektojë policinë.
"Kryeministër, çfarë po pret? Policia ka të drejtë, respektojeni!"-shkruan Haradinaj në postimin e tij në Facebook, krahas fotove nga protesta.
Edhe pse gjatë protestës së Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës e ftuan kryeministrin për ballafaqim dhe përmbushje të kërkesave të tyre, nuk ka ardhur asnjë reagim nga Albin Kurti.
Ndërkohë kjo nuk është hera e parë që pjesëtarët e FIT protestojnë për të njëjtat kërkesa. Në vitin 2010, njësitë speciale përmes grevave dhe protestave kishin kërkuar rritje të pagave bazë për 100 euro por edhe kontrata të përhershme në Policinë e Kosovë. Protesta në atë kohë e policëve të njësive të ndryshme policore kishte rezultuar me rritje të pagave. Më pas në vitin 2014 sërish në kohën e ish-kryeministrit Thaçi pati rritje të pagave për policët./Zëri.ai