
SHBA-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka deklaruar se presidenti serb, Alexandër Vuçiç ka strehuar, mbrojtur dhe promovuar policët dhe ushtarakët që kryen krime gjatë luftës në Kosovë. Ajo u shpreh se Kosova është një avokate e vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut, ndërsa iu përgjigj edhe pretendimeve të presidentit serb Vuçiç. Osmani nënvizoi se pretendimet serbe për spastrim etnik dhe persekutim të serbëve të Kosovës janë të pavërteta, të pabaza dhe të frymëzuara politikisht nga Beogradi.
Osmani gjithashtu rrëfeu vuajtjet e Kosovës duke përmendur në fjalimin e saj ndërhyrjen e NATO-s 25 vjet më parë në vend. Ajo tha se me këtë u shënua një moment historik në historinë moderne të njerëzimit dhe një kthesë për kosovarët që ishin në kërkim të lirisë.
Vjosa Osmani: Sot, teksa qëndroj këtu duke përfaqësuar vendin tim, Republikën e Kosovës, më kujtohet ndikimi i thellë i bashkimit të demokracive për një qëllim të përbashkët. Ishte vetëm 25 vjet më parë, kur ndërhyrja e NATO-s së bashku me aspiratën e palëkundur të popullit tim për liri, shënuan jo vetëm një kthesë vendimtare në historinë e vendit tonë, por edhe një moment historik vendimtar në historinë moderne të njerëzimit. Ajo ndërhyrje nuk kishte të bënte vetëm me ndërtimin e paqes; ishte kryesisht dhe më e rëndësishmja, për mbrojtjen e shenjtërisë së jetës njerëzore dhe të drejtën e të gjithë njerëzve për të jetuar të lirë nga frika e shkatërrimit dhe persekutimit. Ajo nënvizoi domosdoshmërinë që kur njëri prej nesh kërcënohet nga tirania, është një kërcënim për të gjithë. Na kujtoi domosdoshmërinë e të vepruarit si forcë e bashkuar përballë padrejtësisë së rëndë, duke mbrojtur me çdo kusht jetë njerëzore. 25 vjet më vonë, Kosova shkëlqen si një sukses i jashtëzakonshëm dhe avokuese për vlerat demokratike, duke përqafuar diversitetin, duke promovuar multietnicitetin dhe avancuar të drejtat e njeriut për të gjithë. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë që atëherë dhe jemi dëshmitarë të një transformimi të jashtëzakonshëm dhe frymëzues. Republika jonë e re jo vetëm që ka kapërcyer rrënojat e luftës, por është kthyer në një shembull të shquar të ‘demokracisë në veprim’ të ushqyer nga shpirti i gjallë i rinisë sonë dhe vendosmëria e palëkundur e popullit tonë. Pra, zonja dhe zotërinj, ju mund të dëgjoni propagandën e Vuçiç dhe ta lejoni ta shtyjë përpara revizionizmin e tij historik të bazuar në skenarin e Rusisë, por e vetmja e vërtetë për regjimin e Vuçiqit është ajo që është në mohim të vazhdueshëm dhe duke mos pranuar kurrë përgjegjësinë për këto krime të tmerrshme; asnjëherë duke mos kërkuar falje apo duke shfaqur shenja pendimi. Kurrë! Masakra e Poklekut, si të gjitha masakrat tjera nëpër Kosovë, tregoi se Millosheviçi dhe ministri ministri i tij i atëhershëm i propagandës, sot i ulur në karrigen e Presidentit, jo vetëm që kërkonin t’i shfarosnin të gjithë shqiptarët e Kosovës nga faqja e dheut, por donin t’i zhduknin edhe provat dhe të mos kishte dëshmitar. Megjithatë, ata dështuan pareshtur. Elhamja mbijetoi për t’i treguar botës historinë e familjes dhe kombit të saj. Pavarësisht se humbi nënën, tri motrat, dy vëllezërit dhe shumë kushërinj gjatë kësaj masakre, ajo është kthyer në mishërim të vërtetë të qëndresës dhe forcës dhe në mbrojtëse të palëkundur e së vërtetës dhe luftës për drejtësi.
Elhame Muqolli, që më shoqëron sot në takim, ishte vetëm 14 vjeçe kur shtëpia e saj u bastis nga forcat policore të Serbisë. Fillimisht u qëllua mbi 53 civilë, kryesisht fëmijë, pasi të gjithë ishin mbledhur në një dhomë. Ndërkohë që policia u largua për t’u furnizuar, Elhamja arriti të hidhej nga dritarja dhe të largohej me vrap, pavarësisht se ishte plagosur nga plumbat. Menjëherë pas kësaj, policia u kthye e pajisur me benzinë për t’i vënë flakën të gjithë 53 civilëve. Elhamja nuk do të mund të harrojë kurrë ulërimat shurdhuese të disa prej fëmijëve që ishin ende gjallë teksa po digjeshin. Dhe si të mos mjaftonte kjo, policia i vuri flakën vazhdimisht. Fëmijët e vegjël 6 dhe 10 muajsh u dogjën në përpjekje për t’i zhdukur nga faqja e dheut vetëm se ishin shqiptarë; vetëm sepse i përkisnin një etnie të ndryshme nga ajo e policëve dhe ushtrisë. Shkalla e djegies së trupave ishte aq e rëndë sa që anëtarëve të mbijetuar të familjes u mbeti aq pak nga më të dashurit e tyre sa të mund t’i vendosnin të gjitha 53 viktimat në një varr të vetëm. Një memorial u ndërtua në përkujtim të viktimave afër vendit ku ndodhi gjithçka, por asnjë politikan serb – asnjë i vetëm, nuk u gjunjëzua para varrit të atyre fëmijëve të vegjël. Dhe kur mendon se masakra të këtyre përmasave ndodhën pothuajse në çdo cep të vendit, me fëmijë të vegjël, gra, duke përfshirë edhe shtatzëna, të vrarë pa mëshirë, për shkak të mendësisë luftënxitëse që është ende e gjallë dhe ka nisur në Beograd.
/ZËRI