SERBI- Gjatë seancës së fundit parlamentare në Beograd, deputeti nga partia Fronti i Gjelbër, Dobrica Veselinović, foli për rrugën që po ndjek Serbia drejt integrimit europian. Ai u shpreh se Serbia po shtyn zgjidhjen e problemeve me Kosovën, të cilës iu referua si “fqinje”.
Dobrica Veselinović: “Po e shtyjmë zgjidhjen e problemeve të vështira me fqinjët tanë, me Kosovën, dhe nuk do të hyjmë në Bashkimin Europian. Kjo është ajo për të cilën qytetarët do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme.”
Kjo deklaratë solli menjëherë reagimin e kryetares së Kuvendit serb, Ana Brnabić, e cila tha se ky qëndrim i deputetit nga Fronti i Gjelbër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të institucionit.
Pas fjalës së deputetit Veselinović, kryetarja e Kuvendit iu drejtua atij duke i thënë se Kosova nuk është fqinje e Serbisë, por pjesë përbërëse e saj dhe njëkohësisht krahinë autonome. Në fjalën e saj, ajo theksoi se ky është qëndrimi zyrtar i institucionit dhe se deklarata e deputetit nga Fronti i Gjelbër nuk përfaqëson qëndrimin e Kuvendit të Serbisë.
Ana Brnabić: “Dua të them se ju thatë diçka që është shumë serioze, por unë nuk ju ndërpreva për shkak të lirisë së shprehjes në Kuvendin e Serbisë. Si Kryetare e Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë, më duhet t’ju them se, kur thatë ‘me fqinjët tanë, me Kosovën’, për Kuvendin Popullor të Republikës së Serbisë, ata nuk janë fqinjët tanë. Kosova është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë dhe krahinë autonome. Nuk janë fqinjët tanë. Ky është qartazi qëndrimi juaj, prandaj nuk ju ndërpreva, por ky nuk është qëndrimi zyrtar i Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë.”
Kjo nuk është hera e parë që nga zyrtarë të lartë të Serbisë vijnë reagime të tilla për Kosovën.
Në mes të korrikut, gjatë një interviste për median serbe Kurir, ministrja serbe Snezana Paunoviç është shprehur se nëse do të kishte pasur të njëjtën liri veprimi si ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Deklarata e saj shkaktoi polemika të forta e të ashpra, pasi i referohet drejtpërdrejt konceptit të “spastrimit etnik”, që lidhet me krime të rënda gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi dhe luftës në Kosovë. BE dënoi deklartaën duke kërkuar vetëpërmbajtje. Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, po ashtu u shpreh e tronditur ndaj kësaj deklarate, duke e cilësuar si të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian./ZËRI
