KOSOVË- Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë një letër nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në përfundim të mandatit të saj. Në letrën e tij, Trump vlerëson bashkëpunimin e deritanishëm mes tyre në kuadër të Bordit të Paqes, duke theksuar se ajo po lë pas një trashëgimi të rëndësishme. Trump e konsideron një mike dhe partnere të besueshme të SHBA-ve.
“Kemi arritur shumë së bashku në një periudhë të shkurtër kohore-veçanërisht bashkëpunimin tonë në kuadër të Bordit të Paqes. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë nismë të re premtuese do të luajë një rol të jashtëzakonshëm në përfundimin e konflikteve në mbarë botën, duke promovuar njëkohësisht lirinë dhe mirëqenien për të dy popujt tanë. Po lini pas një trashëgimi të rëndësishme që do të formësojë të ardhmen e vendit tuaj, rajonit të Ballkanit, dhe gjithë Evropës. Ju keni qenë gjithmonë një mike dhe partnere e besueshme e Shteteve të Bashkuara, dhe mezi pres vazhdimin e bashkëpunimit tonë në vitet në vijim”, shkruhet në letrën e dërguar nga presidenti.
Vetë ish-presidentja ka ndarë letrën në rrjetet e saj sociale, teksa ka shprehur falënderimin e saj. Osmani shprehet se edhe ajo mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit mes tyre në vijim.
“Lidhjen e fortë të Kosovës me Amerikën do ta ruajmë bashkë, sot e përherë! Falënderoj Presidentin Trump për letrën e dërguar në përfundim të mandatit tim, të cilën e pranova mbrëmë, si dhe për vlerësimin që i ka bërë punës sonë! Ashtu siç thekson edhe Presidenti i SHBA-ve në këtë letër, mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim”, shprehet Osmani./ZËRI