Opinione

Pse po 'zhduken' të besuarit në ushtri të presidentit kinez?

Ekspertët argumentojnë se ndryshimet e mëdha në ushtri në Kinë mund të nxjerrin në pah paqartësitë e sistemit politik kinez

D.XH
Pse po 'zhduken' të besuarit në ushtri të presidentit
Xi Jinping

PEKIN - Ata ishin zyrtarë të besuar dhe të favorizuar nga Xi Jinping. Tani, ato duket se po zhduken nga skena publike. Muajt e fundit, zhdukjet e disa zyrtarëve të lartë kinezë kanë ndezur spekulime intensive nëse presidenti Xi Jinping po fillon një spastrim në ushtri. Personi i fundit që duket se është goditur nga qeveria është ministri i Mbrojtjes Li Shangfu, i cili nuk është parë në publik prej disa javësh.

Ndërsa mungesa e tij nuk u pa si e pazakontë në fillim, shqyrtimi u intensifikua kur një diplomat i lartë amerikan e vuri në dukje atë. Një raport i Reuters më vonë tha se gjenerali Li, i cili dikur mbikëqyrte prokurimin e armëve për Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës (PLA), po hetohej për blerjet e pajisjeve ushtarake. "Zhdukja" e tij vjen disa javë pasi dy zyrtarë të lartë në Forcat Raketore - krahu ushtarak që kontrollon raketat bërthamore - dhe një gjykatës i gjykatës ushtarake u hoqën nga puna.

Tani po qarkullojnë thashetheme të reja se po hetohen edhe disa kuadro në komisionin ushtarak qendror të Partisë Komuniste Kineze (CCP) që kontrollon forcat e armatosura. Për këto largime është dhënë pak ose aspak shpjegim zyrtar, përveç “arsyeve shëndetësore”. Në këtë boshllëk, spekulimet kanë lulëzuar. Teoria kryesore është se autoritetet po godasin korrupsionin në ushtri. Ushtria ka qenë në gatishmëri të shtuar. Në korrik, ushtria lëshoi një thirrje të pazakontë duke kërkuar nga publiku informacione për korrupsionin në pesë vitet e fundit. Xi gjithashtu nisi një raund të ri inspektimesh, duke përshkuar vendin për të bërë pesë vizita në bazat ushtarake që nga prilli, sipas kontrolleve nga BBC Monitoring.

Korrupsioni ka qenë prej kohësh një problem në ushtri, veçanërisht që kur Kina filloi liberalizimin e ekonomisë së saj në vitet 1970, vuri në dukje James Char, një studiues në Universitetin Teknologjik Nanyang të Singaporit, i cili studion marrëdhëniet midis CCP dhe ushtrisë.

Çdo vit Kina shpenzon më shumë se një trilion juanë për ushtrinë dhe disa shkojnë drejt transaksioneve të prokurimit, të cilat për arsye të sigurisë kombëtare nuk mund të zbulohen plotësisht. Kjo mungesë transparence përkeqësohet më tej nga sistemi i centralizuar njëpartiak i Kinës.

Ndryshe nga lloji i kontrollit public, të cilit i nënshtrohen ushtritë e vendeve të tjera, forcat e armatosura të Kinës mbikëqyren ekskluzivisht nga CCP, vuri në dukje Dr Char.

Ndërsa presidenti Xi ka pasur disa fitore në zbutjen e korrupsionit brenda forcave të armatosura dhe rivendosjen e reputacionit të tij në një farë mase, "çrrënjosja e korrupsionit është një ndërmarrje e frikshme, nëse jo e pamundur", pasi do të kërkonte "ridizajnime sistematike, të cilat kam frikë se nuk arrihen dot në një shtet autoritar”, shtoi Dr Char. "Derisa qeveria CCP të jetë e gatshme të vendosë një sistem të duhur ligjor që nuk sanksionohet më nga vetja, spastrime të tilla do të vazhdojnë të ndodhin." Por zhdukjet mund të shihen edhe si një paranojë e thelluar në qeverinë kineze, ndërsa ajo ‘lundron’ në marrëdhëniet e saj të ndërlikuara me SHBA-në.

Në korrik, një ligj i zgjeruar kundër spiunazhit hyri në fuqi në Kinë, duke u dhënë autoriteteve më shumë fuqi dhe shtrirje në kryerjen e hetimeve. Menjëherë pas kësaj, Ministria e Sigurisë Shtetërore e Kinës inkurajoi publikisht qytetarët që t'i ndihmonin ata të luftonin aktivitetet e spiunazhit.

Zhdukja e gjeneralit Li pasohet nga zhdukja e ministrit të Jashtëm Qin Gang, largimi i të cilit në korrik gjithashtu shkaktoi spekulime të shumta. Këtë javë, Wall Street Journal raportoi se Qin po hetohej për një lidhje të dyshuar jashtëmartesore që rezultoi në një fëmijë të lindur në SHBA.

"Të kesh një lidhje nuk është skualifikim në qarqet e elitës [Partisë Komuniste], por të kesh një lidhje me dikë që mund të dyshohet se ka lidhje me inteligjencën me jashtë dhe që prodhon një fëmijë që mban pasaportën e rivalit tënd kyç gjeopolitik, nëse jo armikut, kjo mund të jetë shkjelje ", vuri në dukje analisti kinez Bill Bishop.

Ka gjithashtu spekulime se Xi po vepron nën presionin e brendshëm të partisë për të kryer sa më tepër pastrime, pasi Kina lufton me një ekonomi të ngadalësuar pas Covid-it dhe papunësinë në rritje të të rinjve. Sipas sistemit politik të Kinës, Xi nuk është vetëm presidenti i Kinës, por edhe udhëheqësi më i lartë i ushtrisë.

E parë në këtë mënyrë, zhdukjet janë një shenjë e paqëndrueshmërisë në udhëheqjen e zotit Xi. Vëzhguesit kanë pranuar faktin se gjenerali Li dhe z. Qin, të cilët nuk ishin vetëm ministra, por gjithashtu zinin poste më të larta si Këshilltarë të Shtetit, u favorizuan nga Xi. Rënia e tyre e papritur mund të shihet si një mungesë gjykimi nga presidenti kinez.

Por pikëpamja tjetër është se është një shfaqje tjetër e forcës nga zoti Xi ose një pastrim i mundshëm thjesht politik. Djali i një zyrtari të spastruar nga CCP-ja, Xi është i famshëm për goditjet e tij publike ndaj korrupsionit - të cilat gjithashtu veprojnë si spastrime politike që synojnë çrrënjosjen e armiqve të tij, thonë vëzhguesit.

Që nga Mao Ce Duni, asnjë lider tjetër kinez nuk ka arritur të përputhet me shkallën e masave të z. Xi. Ata vlerësohet se kanë grumbulluar mijëra kuadro gjatë viteve dhe kanë shënjestruar si zyrtarë të nivelit të ulët ashtu edhe ata të lartë duke filluar me fushatën e tij "tigrat dhe mizat" e nisur menjëherë pasi ai mori detyrën në 2013.

Ai synoi të pastrojë gjithashtu forcat e armatosura dhe deri në vitin 2017 kishte hequr nga puna më shumë se 100 oficerë të lartë. Në atë kohë agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua tha në një artikull se shifra "tejkalonte shumë numrin e gjeneralëve të vrarë në luftëra për të krijuar Kinën e re".

Por pyetja më e madhe është mbi sinjalin që dërgojnë zhdukjet e fundit dhe ndikimin e tyre përfundimtar. Vëzhguesit thonë se spastrimet do të krijonin një klimë frike në ushtri dhe qeveri. Megjithëse ky mund të jetë rezultati i synuar për të siguruar pajtueshmërinë, ai do të kishte gjithashtu një efekt demoralizues.

“Vitet e tëra që kalon Xi duke menduar ristruktrurime e duke bërë zevendësime, mund të kenë efekte edhe negative. Kjo sepse të gjithë të dëbuarit mund të ‘shpërthejnë’ nga pakënaqësia, gjë që sjell rreziqe, deri për sigurinë kombëtare kineze”, vuri në dukje Dr Char.

Zhdukjet’ në fakt kanë ndodhur gjatë një periudhe të tensionuar në ngushticën e Tajvanit, ku Kina ka dërguar më shumë anije luftarake dhe avionë ushtarakë atje javët e fundit.

Çdo ndërprerje në komunikimin mbi politikën e jashtme dhe diplomacinë e mbrojtjes do të ishte "veçanërisht shqetësuese" pasi "aksidentet mund të ndodhin dhe menaxhimi i përshkallëzimit mund të bëhet më sfidues", tha Ian Chong, një anëtar jorezident në institutin e ekspertëve ‘Carnegie China’.

Të tjerë megjithatë argumentojnë se udhëheqja ushtarake e Kinës është mjaft e fortë për t'i bërë ballë zëvendësimit të disa zyrtarëve të lartë dhe theksojnë se ndryshimet kanë qenë të kujdesshme, aq sa mos të cenojnë gjëra me rëndësi kombëtare.

Të tjerë ende besojnë se ‘zhdukjet’ nuk kanë gjasa të kenë një ndikim afatgjatë në stabilitetin e udhëheqjes së zotit Xi. Asnjë nga kuadrot që janë shënjestruar deri më tani nuk janë pjesë e rrethit të tij të brendshëm, vuri në dukje Neil Thomas, një ekspert në politikën e elitës kineze me Institutin e Politikave të Shoqërisë së Azisë.

Ajo që shumica e vëzhguesve mund të bien dakord është se këto incidente nxjerrin në pah paqartësinë e sistemit kinez. "Ai thekson më tej pyetjet në lidhje me vazhdimësinë e zbatimit të politikave dhe mosbesueshmërinë e çdo premtimi ose garancie të nivelit të punës," vuri në dukje Dr Chong./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB