Bota

Qëndrimet e dyfishta/ Liderët botërorë të shpallur në kërkim “vështrojnë” GJNP, ndërsa gjykata përpiqet të ushtrojë juridiksionin e saj

Por rasti i Dutertes ka treguar se arrestimi është i mundur – veçanërisht pasi një lider është jashtë detyrës – dhe se kërcënimi ndaj atyre liderëve të kërkuar nuk është vetëm teorik.

I.F
Qëndrimet e dyfishta/ Liderët botërorë të shpallur
Rodrigo Duterte, Benjamin Netanyahu dhe Vladimir Putin

SHBA- Arrestimi i ish-presidentit kontrovers të Filipineve në mars, ishte padyshim një tronditje për politikën botërore, duke kthyer vëmendjen tek liderët e tjerë të kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN). Ish-presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, pas arrestimit u dërgua na Holandë për t’u përgjigjur para GJPN për krime të dyshuara kundër njerëzimit. Duterte kishte qenë prej kohësh nën vëzhgim, pasi akuzohej se ishte përgjegjësi për vrasjen e mijëra persona të përfshirë në trafikun e drogës, sado i vogël të ishte roli i tyre. Por, prej shumë vitesh hetimesh, dukej sikur Duterte “tallej” me gjykatën, duke i thënë asaj që të “nxitoj”, por ndalimi i tij erdhi si befasi për shumë ekspertë.

“Ne kemi pasur individë të tjerë të rangut të lartë të sjellë para gjykatës”, duke përfshirë disa ish-presidentë të kombeve afrikane, tha Leila Sadat, profesoreshë e së drejtës penale ndërkombëtare në Shkollën Juridike të Universitetit të Uashingtonit dhe ish-këshilltarja speciale për krimet kundër njerëzimit për prokurorët e GJPN-së.

Por në shumë raste, drejtuesit e ndjekur penalisht ose u thirrën në gjykatë ose u arrestuan pasi një urdhër u lëshua publikisht, një kontrast i fortë me rastin e Duterte, ku urdhër-arresti u lëshua fshehurazi dhe ish-udhëheqësi u arrestua brenda disa orëve.

“Është hera e parë që GJPN merr këtë vendim”, tha Sadat – megjithëse raste të ngjashme janë parë në gjykata të tjera ndërkombëtare, shtoi ajo.

Duterte, tani 80 vjeç, akuzohet për krime kundër njerëzimit, vrasje dhe përdhunime. Lufta e tij ndaj bandave të trafikantëve çoi në vrasjen e më shumë se 6 mijë personave, edhe nëse ata kishin një rol shumë të vogël në grupet kriminale, sipas të dhënave të autoriteteve filipineze. Ndërsa, organizata të tjera jo-qeveritare shprehen se numri mund të jetë shumë i lartë se 6 mijë viktima.

Arrestimi i tij është i rëndësishëm, pjesërisht sepse mund të krijojë një precedent për gjykimet e ardhshme të liderëve të tjerë të kërkuar nga gjykata, ndonëse e pamundur, duke përfshirë presidentin rus Vladimir Putin dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Kjo nuk do të thotë se ata do të arrestohen së shpejti, shumë faktorë politikë mund ta bëjnë jashtëzakonisht të vështirë ekzekutimin e një urdhër-arresti.

Rasti kryesor dhe sfida e GJNP: Netanyahu të dielën përfundoi një vizitë në Hungari, në kundërshtim me urdhërin e GJPN. Si nënshkruese e Statutit të Romës, Hungaria është e detyruar të arrestojë këdo që kërkohet nga GJPN. Në vend të kësaj, kryeministri i saj Viktor Orban e mirëpriti Netanyahun me krahë hapur dhe Budapesti njoftoi se do të fillonte procesin e largimit nga gjykata.

Pas Hungarisë, kryeministri izraelit do të fluturojë për në Shtetet e Bashkuara për t’u takuar sot me Presidentin Donald Trump, kanë thënë të dyja palët për CNN.

“Ata do të diskutojnë, mes pikave të tjera të rendit të ditës, "luftën në Gjykatën Ndërkombëtare Penale", tha zyra e Netanyahut

Por rasti i Dutertes ka treguar se arrestimi është i mundur – veçanërisht pasi një lider është jashtë detyrës – dhe se kërcënimi ndaj atyre liderëve të kërkuar nuk është vetëm teorik.

“Precedenti i vendosur- ndoshta jo tani, por në brezat e ardhshëm – do të na lejojë të përfytyrojmë se si duket drejtësia për liderët e rangut më të lartë të vendeve që kryejnë këto lloj krimesh”, tha Gregory Gordon, një profesor i së drejtës penale ndërkombëtare në Shkollën e së Drejtës Transnacionale të Universitetit të Pekinit në Shenzhen, Kinë.

"Gjithmonë ka një përparim fillestar që duhet të ndodhë."

Putin dhe lufta e Ukrainës

E vendosur në Hagë në Holandë, GJNP-ja heton dhe ndjek penalisht individë për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe krime agresioni kundër territorit të shteteve të saj anëtare, prej të cilave janë 125.

Gjykata nuk mund të kryejë arrestime vetë dhe mbështetet në bashkëpunimin e qeverive kombëtare për ekzekutimin e urdhër-arresteve – që shpesh mbështetet në politikën e brendshme dhe vullnetin politik. Vendet anëtare të GJPN përfshijnë Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë, Brazilin dhe të gjithë anëtarët e tjerë të Bashkimit Evropian – të paktën derisa Hungaria të bëjë daljen e saj të premtuar.

Në mars të vitit 2023, GJNP lëshoi ​​një urdhër arresti për Putinin dhe zyrtaren ruse Maria Lvova-Belova mbi një skemë të supozuar për të dëbuar fëmijët ukrainas në Rusi. Akuzat ishin të parat që u ngritën zyrtarisht nga GJPN kundër zyrtarëve rusë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini në vitin 2022. Bota e Putinit sapo u bë shumë më e vogël me urdhër-arrestin e GJPN-së

Rusia – si Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Kina dhe Ukraina – nuk është anëtare e GJPN. Gjykata nuk ka forcën e saj policore dhe nuk kryen gjykime në mungesë – dhe për këtë arsye gjasat që ndonjë zyrtar rus të paraqitet para saj është shumë i ulët, thanë analistët.

Çdo zyrtar rus i akuzuar ose duhet të dorëzohet nga Moska, ose të arrestohet jashtë Rusisë, tha Sadat, profesor i Universitetit të Uashingtonit.

“Urdhëri kundër vetë Vladimir Putinit është padyshim më sfiduesi, sepse ai është një president në pushtet dhe ai nuk largohet nga Rusia nëse nuk është shumë i sigurt se do të ketë imunitet kudo që të shkojë”, tha ajo.

"Por zgjedhjet e tij tani janë të kufizuara dhe ai është etiketuar, për mirë ose për keq, një kriminel lufte."

Gordon ra dakord, duke thënë se shanset për arrestimin e Putinit janë të pakta, duke pasur parasysh "kontrollin e tij të fortë mbi pushtetin" dhe mbrojtjen që ai ka- përveç nëse situata e brendshme politike e Rusisë ndryshon mjaftueshëm për ta lënë atë të pambrojtur. Në fund të fundit, ishte një ndryshim dramatik në politikën e brendshme të Filipineve që përfundimisht bëri të mundur arrestin e Duterte.

Edhe kur Putin largohet nga Rusia, shumë vende nuk janë të gatshme ta arrestojnë atë. Vitin e kaluar, udhëheqësi rus udhëtoi për në Mongoli pa u përballur me ndonjë pasojë – pavarësisht se vendi i Azisë Lindore është anëtar i GJPN-së.

“Natyrisht, presioni mbi një vend të vogël si Mongolia është mjaft thelbësor”, tha Sadat.

Por ajo vuri në dukje herë të tjera që urdhër-arresti dukej se kufizonte lëvizjet e Putinit; në vitin 2023, udhëheqësi rus mori pjesë në një samit të BRICS në nënshkruesin e GJPN-së në Afrikën e Jugut nëpërmjet video-telefonit, duke i kursyer vendit pritës një telash të mundshëm diplomatik.

"Unë mendoj se vetë urdhër-arrestet janë të fuqishme. Ekzekutimi i tyre ka një vlerë të lartë, por moszbatimi e kthen gjykatën në një lloj simboli që nuk mund të arrestojë të akuzuarin e saj”, tha ajo.

“Kjo është arsyeja pse arrestimi i Dutertes është një moment vërtet emocionues për gjykatën, sepse tregon se mund të angazhohet në bashkëpunim ndërshtetëror”.

Netanyahu, Hamasi dhe lufta e Gazës

GJPN lëshoi ​​urdhër-arrestin e saj për Netanyahun në nëntor 2024 – duke kërkuar gjithashtu arrestimin e ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant – duke përmendur akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza.

Një zyrtar i lartë i Hamasit kërkohet gjithashtu nga GJPN për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023 në Izrael. Udhëheqësit e tjerë të grupit militant të kërkuar nga gjykata për ndjekje penale u vranë nga Izraeli.

Urdhëresat historike e bënë Netanyahun liderin e parë izraelit të thirrur nga një gjykatë ndërkombëtare për krime lufte kundër palestinezëve në konfliktin arabo-izraelit prej më shumë se shtatë dekadash. Ndërsa, lëshimi i urdhrit u denoncua gjithashtu në të gjithë spektrin politik izraelit, dhe u quajt si i pandërgjegjshëm, me zyrën e vetë Netanyahut që e quajti lëvizjen "antisemitike". Disa aleatë izraelitë – përfshirë Shtetet e Bashkuara – kritikuan ashpër urdhër-arrestin e GJPN.

Izraeli nuk është anëtar i GJNP-së dhe nuk e njeh juridiksionin e GJNP-së, as nuk respekton urdhër-arrestet ndërkombëtare të lëshuara nga gjykata dhe me gjasë nuk do t'i dorëzojë qytetarët izraelitë për ndjekje penale. Për më tepër, GJNP-ja ndërhyn vetëm kur qeveria e një vendi nuk dëshiron ose nuk është në gjendje të ndjekë penalisht rastet.

Çfarë është GJPN dhe pse e ka sanksionuar Trump?

Por ndryshe nga Rusia, Izraeli është një demokraci funksionale, me një histori të gjatë tranzicionesh paqësore midis qeverive të zgjedhura. Kjo e bën sigurinë e ardhshme politike të Netanyahut më të dobët se sa ajo e Putinit dhe më të ngjashme me situatën e Duterte-s, ku një ndryshim në qeveri pasi lideri filipinas ishte jashtë detyrës, përfundimisht çoi në rënien e tij.

Kryeministri izraelit tashmë po përballet me një numër problemesh ligjore të brendshme që nuk lidhen me luftën e Gazës, duke përfshirë një gjyq të gjatë për korrupsion. Izraeli është gjithashtu thellësisht i ndarë politikisht, me shumë qytetarë të zemëruar me qeverinë e Netanyahut dhe aleatët e tij të kabinetit të ekstremit të djathtë. Sipas Gordon, është "e kuptueshme" që Netanyahu një ditë mund të përballet me arrestim në Izrael për krime të dyshuara në lidhje me veprimet e Izraelit në Gaza – edhe pse kjo ende nuk do të thotë se urdhri i GJPN-së do të zbatohej.

Pastaj është fakti që disa vende të fuqishme kanë zgjedhur të mos zbatojnë urdhërat e GJNP-së, ndërsa të tjerët i kanë hedhur poshtë ato haptazi – duke minuar më tej autoritetin e gjykatës.

Franca, për shembull, kishte mbështetur me zjarr urdhrin e GJNP-së për Putinin – por ajo ndryshoi qëndrimin e saj pasi gjykata kërkoi arrestimin e Netanyahut, duke argumentuar se duke qenë se Izraeli nuk ishte anëtar i GJPN-së, kryeministri i tij duhet të jetë i imunizuar nga ndjekja penale. Kombet e tjera evropiane kanë treguar gjithashtu se nuk do të ishin të gatshëm të zbatonin urdhër-arrestet izraelite. Por kritikët thonë se përgjigjet sugjerojnë dy grupe rregullash: një për aleatët tradicionalë të Perëndimit dhe një tjetër për armiqtë e tij.

"Shtetet nuk mund të pretendojnë sukses në drejtësinë penale ndërkombëtare nëse nuk angazhohen për të mbrojtur të drejtat e të gjithëve të përfshirë", i tha CNN në dhjetor James Joseph, redaktor menaxhues në gazetën juridike jofitimprurëse Jurist Neës.

Problemi me prokuroritë ndërkombëtare

GJPN ka një listë të gjatë urdhër-arrestesh të pazgjidhura, duke përfshirë për ish-diktatorin Omar al-Bashir, i cili sundoi Sudanin për tre dekada përpara se të rrëzohej në vitin 2019. Aktualisht i burgosur në Sudan, Bashir përballet me akuza për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Darfur.

Një numër disproporcional i ndjekjeve penale të GJPN-së kanë qenë kundër udhëheqësve afrikanë, komandantëve të luftës dhe anëtarëve të milicisë – duke përfshirë ish-presidentin kenian Uhuru Kenyatta dhe udhëheqësin aktual të vendit të Afrikës Lindore, Ëilliam Ruto, çështja e të cilit u braktis nga gjykata pjesërisht për shkak të “ndërhyrjes së dëshmitarëve dhe ndërhyrjeve politike”.

Fokusi i kaluar i GJPN-së në Afrikë është pjesërisht i rrënjosur në kushtetutën e saj, tha Sadat në Uashington. Gjykata mund të ushtrojë juridiksion vetëm për krimet e kryera në ose pas krijimit të saj më 1 korrik 2002. Në atë kohë, luftëra të mëdha që vranë miliona njerëz shpërthyen në të gjithë Afrikën, nga Darfuri në Republikën Demokratike të Kongos. Për më tepër, shumë kombe afrikane i referuan rastet e tyre GJNP-së, shtoi Sadat - që do të thotë se ata i kërkuan gjykatës ndërkombëtare të hetonte dhe i dhanë asaj juridiksion.

“Me kalimin e kohës, zyra e prokurorisë filloi të shtojë personelin, të zhvillojë më shumë ekspertizë, të marrë përsipër situata të tjera… tani gjykata po kalon në situata të tjera”, tha Sadat.

“Por, është e vështirë të ndiqen penalisht krimet e supozuara ndërkohë që konfliktet janë në vazhdim dhe të akuzuarit mbeten në pozitat e pushtetit. Për vite me radhë, GJNP-ja është përballur me kritika për gjykimet e ngadalta dhe shkallën e ulët të dënimit. Nga 60 urdhër-arreste të lëshuara që nga krijimi i gjykatës, 31 të dyshuar mbeten të lirë. Vetëm 11 të pandehur janë dënuar ndonjëherë – të gjithë kriminelë lufte afrikanë”.

Sadat vuri në dukje Sirinë, duke thënë se për vite të tëra, GJNP-ja nuk mundi të “gjente një mënyrë për të marrë juridiksionin” për të hetuar krimet e supozuara të luftës gjatë luftës civile në vend – derisa regjimi i ish-diktatorit Bashar al-Assad u rrëzua në dhjetor. Që atëherë, qeveria e re e përkohshme ka ftuar gjykatën të vizitojë vendin dhe të mbledhë provat e nevojshme për ndjekje penale.

Filipinet janë një shembull tjetër kryesor se si rastet e GJPN-së shpesh ngecin derisa disa trazira politike të ndryshojnë lojën, tha Gordon. Presidenti i Filipineve Ferdinand Marcos Jr. tha më parë se vendi i Azisë Juglindore nuk do të angazhohej me GJPN, por vetë Manila ndryshoi qëndrimin politik këtë javë pas rënies së një aleance midis dinastisë politike Marcos dhe klanit të Duterte.

"Disa mund të argumentojnë se kjo ka të bëjë vetëm me politikën, dhe se e vetmja herë që GJNP-ja do të jetë në gjendje të angazhohet ndonjëherë në procesin e drejtësisë është nëse proceset politike janë të harmonizuara në mënyra të caktuara – dhe kjo është vetëm çështje fati, jo drejtësie”, tha Gordon. Por të tjerët – përfshirë të dy ekspertët që folën për CNN – ishin më optimistë.

“Arrestimi i Dutertes mund të krijojë një bazë për luftimin e kulturës së mosndëshkimit dhe të mbajë përgjegjës liderët shtetërorë që kryejnë krime ndërkombëtare", tha Gordon.

"Kjo i bën njerëzit në të ardhmen më të kënaqur me idenë se mund të bëhet."/ZËRI

Poll

MOS HUMB