Bota

Robotët kinezë në ushtrinë e Serbisë

Blerja e robotëve humanoidë për nevojat e Ushtrisë së Serbisë, do të ishte një barrë e madhe financiare dhe operacionale për vendin.

Redaksia Zëri
Robotët kinezë në ushtrinë e Serbisë
Aleksandër Vuçiç

SERBI-“Mijëra robotë të armatosur” në kuptimin ushtarak duken më shumë si një mesazh marketingu sesa një plan real, thotë për Radion Evropa e Lirë Nikolla Lluniç, konsulent në fushën e gjeopolitikës dhe sigurisë në Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, paralajmëroi në fillim të shkurtit se Serbia do të ketë “mijëra robotë të armatosur” nga Kina në paradën e ardhshme ushtarake gjatë vitit 2026. Në këtë mënyrë, sipas tij, shteti do të sigurohet edhe më shumë.

“Por, për të gjitha këto, më duhet t’i lutem presidentit të Kinës, Xi Jinping, dhe shpresoj që si mik i Serbisë të na ndihmojë”, tha Vuçiç më 2 shkurt.

Atë ditë, ai u përshëndet edhe me Luka-n, një robot humanoid kinez, i cili u prezantua nga kompanitë Minth Group dhe AGIBOT Innovation në Qendrën Kulturore Kineze në Beograd. AGIBOT - një kompani e themeluar në vitin 2023 në Shangai - merret me integrimin e inteligjencës artificiale dhe robotikës, me qëllim prodhimin e robotëve për përdorim të përgjithshëm, të cilët mund të mësojnë dhe të përshtaten për përdorim masiv dhe komercial.

Përveç synimeve që gjatë vitit 2026 të nisë prodhimi i këtyre robotëve edhe në Serbi, Vuçiç përmendi edhe mundësinë e blerjes së robotëve të armatosur nga Kina. Por, deri tani, asnjë institucion tjetër shtetëror nuk i ka konfirmuar apo komentuar këto deklarata.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse ekziston një plan konkret për blerjen e robotëve të armatosur nga Kina për Ushtrinë e Serbisë, apo nëse ajo është konsultuar lidhur me këtë ide.

Lluniç thotë se ushtritë moderne ende nuk kanë robotë humanoidë të armatosur, që janë operacionalë në terren. Ai shton se përvoja kineze tregon që robotët humanoidë kinezë përdoren kryesisht për mbikëqyrje dhe logjistikë dhe nuk i zëvendësojnë ushtarët në luftime.

Ushtria e Serbisë tashmë përdor armatim kinez - nga dronët luftarakë deri te sistemi raketor kundërajror FK-3. Bashkëpunimi ushtarak midis Beogradit dhe Pekinit zhvillohet pa pengesa, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Sa do t’i kushtonte Serbisë blerja e robotëve nga Kina?

Lluniç vlerëson se blerja e robotëve humanoidë për nevojat e Ushtrisë së Serbisë, do të ishte një barrë e madhe financiare dhe operacionale për vendin.

“Sipas kontratave ekzistuese kineze, 500 robotë humanoidë industrialë kanë kushtuar rreth 37 milionë dollarë, që do të thotë rreth 74.000 dollarë një robot. Nëse Serbia do të porosiste ‘mijëra’ robotë, shpenzimet do të arrinin në qindra miliona dollarë, çka do të përbënte një goditje të madhe për buxhetin”, shpjegon Lluniç.

Ai shton se kësaj duhet t’i shtohen edhe kostot e mirëmbajtjes dhe integrimit të këtyre sistemeve, të cilat kërkojnë staf të specializuar, logjistikë dhe përditësime të shpeshta të softuerit.

“Kjo do të përbënte një sfidë serioze për një ushtri relativisht të vogël dhe me kapacitete të kufizuara teknologjike”, thotë Lluniç.

Çfarë robotësh ushtarakë përdor Kina?
Në paradën ushtarake në Pekin më 3 shtator, ku mori pjesë edhe Vuçiq, u prezantuan të ashtuquajturit “robotë ujqër” të armatosur. Këta robotë janë të aftë të kryejnë manovra dhe operacione në terrene komplekse. Ata mund të transportojnë armë për ushtarët dhe të ndihmojnë në pastrimin e terrenit nga minat.

Në nëntor të vitit 2025, televizioni shtetëror kinez transmetoi pamje nga një stërvitje ushtarake ku, përveç armëve të tjera, u përdorën edhe “robotët ujqër”, në një skenar të simuluar luftarak. Më 25 nëntor, portali South China Morning Post raportoi se kompania kineze UBTech Robotics fitoi një kontratë me vlerë prej 37 milionë dollarësh, për të vendosur robotë humanoidë në shërbim, përgjatë kufirit me Vietnamin.

Roboti humanoid Walker S2, i prezantuar në korrik të vitit 2025, konsiderohet roboti i parë në botë që mund t’i ndërrojë vetë bateritë, pa ndërhyrje njerëzore. Në shkurt të vitit 2026, në Panairin Botëror të Armatimit në Riad të Arabisë Saudite, një prodhues kinez prezantoi sistemin kundërtank PF-070.

Bëhet fjalë për një robot luftarak me katër këmbë, i pajisur me raketa dhe i projektuar për operacione luftarake në terren.

Sipas Indeksit të Gatishmërisë për Inteligjencën Artificiale, të publikuar nga organizata britanike Oxford Insights në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Kërkime në Zhvillim, me seli në Kanada, Kina renditet në vendin e tetë në botë.

Në krye të listës qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Singapori, Mbretëria e Bashkuar, Finlanda, Kanadaja dhe Franca, ndërsa Serbia renditet në pozitën e 57-të në mesin e 193 vendeve./REL

Poll

MOS HUMB