Bota

Serbët e Kosovës nisen me autobusë për të votuar në Serbi

Sot në Serbi mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Serbët e Kosovës, pasi nuk u lejuan nga qeveria e Kosovës të votojnë në vendbanimet e tyre, janë nisur me autobusë drejt Serbisë për të ushtruar të drejtën e votës.

D.XH
Serbët e Kosovës nisen me autobusë për të votuar
Autobuse me serbet e veriut qe nisen drejt Serbise

SERBI – Serbët e Kosovës janë nisur për në Beograd dhe në rajone të tjera të Serbisë, për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Autobusët me punëtorë, kryesisht atyre që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, do të nisen pjesë-pjesë drejt shtetit serb.

Mediat raportojnë se në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë, Jarinjë dhe në Bërnjak është krijuar radhë e gjatë automjetesh. Komuniteti serb në Kosovë voton kryesisht në rajonet e Kurshumlisë, Rashkës, Tutinit dhe të Vranjës, pasi Qeveria e Kosovës nuk lejoi që të hapë vendvotime për ta në territorin e Kosovës. Kështu, komuniteti serb në zonat veriore është grumbulluar, njësoj si në zgjedhjet parlamentare e presidenciale serbe, që u mbajtën në 3 prill 2022.

Edhe mediat lokale serbe në Kosovë raportojnë se pritet që së paku 20 autobusë të nisen drejt Serbisë vetëm nga komuna e Zubin Potokut. Një banor serb i quajtur Milinko Dobriç tha për Kosova Online se i vjen keq që për të votuar duhet të shkojë deri në Serbi, pasi autoritetet e Kosovës nuk e lejuan të votojë në Zubin Potok. “Më vjen shumë keq që nuk votoj dot në Zubin Potok, por duhet të shkoj në Serbi. Unë kam jetuar 40 vite në Zubin Potok. Jemi të detyruar që sa herë ka zgjedhje, të ikim në Serbi për votime”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kërkoi nga Beogradi që të nisë kërkesë për organizim të zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës dhe jo që OSBE të jetë ndërmjetësuese. Por, Serbia nuk pranoi të veprojë në këtë mënyrë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka thënë se Kurti po insiston që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, që në komunat veriore të mbahen zgjedhje.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia ka organizuar edhe në komunitetin serb në Kosovë kanë qenë ata të 21 qershorit 2020.

Në ato zgjedhje, OSBE monitoroi zgjedhjet. Votat u numëruan në rajone të Serbisë. Serbia sot po mban zgjedhje parlamentare dhe lokale, ku të drejtën e votës e kanë rreth 6.5 milionë banorë.

Voton Vuçiç: Pres fitore absolute

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka votuar në zgjedhjet parlamentare e lokale serbe, duke thënë se pret një fitore absolute. Kreu i shtetit serb tha se Serbinë e presin shumë sfida në të ardhmen.

Serbët e Kosovës nisen me autobusë për të votuar
Voton Vucic

“Pres një pjesëmarrje të lartë dhe një fitore vendimtare për koalicionin, ku bën pjesë edhe Partia Progresive Serbe. Uroj në fitore, që Serbia të vijojë rrugën e reformave dhe sukseseve”, tha Vuçiç.

Voton kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi

Kryetari i komunës së Preshevës Shqiprim Arifi ka votuar në zgjedhjet serbe. Arifi kryeson listën “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”.

Serbët e Kosovës nisen me autobusë për të votuar
Voton Shqiprim Arifi

Për shkak të ndarjes së shqiptarëve në dy lista, ekziston rreziku që të mos nxjerrin asnjë deputet në parlamentin e Serbisë. Lista “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi’ udhëhiqet nga Shaip Kamberi. Arifi deklaroi pas votimit se shqiptarët mund të mos nxjerrin deputet në Kuvendin e Serbisë, për shkak të përçarjes.

“Është fatkeqësi që ne e shohim sot, kemi kaluar tani mbi tre orë që janë hapur vendvotimet edhe ajo të cilën edhe e kam paralajmëruar edhe më herët, që shqiptarët qysh në 2022 kanë bojkotuar (zgjedhjet), sepse kemi qenë të përçarë. Po duket qe sivjet edhe një herë më shumë po duket që po bojkotojnë përçarjen tonë të cilën e kemi me dy lista në zgjedhje. Është një fatkeqësi siç po e shihni dhe ju vet nuk ka kurrfarë grumbullimi, kështu është edhe në 38 vendvotimet tjera”, tha Arifi. Sipas tij, fajtor për përçarjen është lidershipi shqiptar. 

Voton Shaip Kamberi: Nuk ka faj Tirana e Prishtina pse shqiptarët dalin në zgjedhje me 2 lista

Shqip Kamberi, që drejton listën “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, ka hedhur votën e tij në zgjedhjet serbe. Kamberi me anë të një postimi në Facebook, iu ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Preshevë të votojnë. “Ftoj Shqiptarët e Luginës së Preshevës të shfrytëzojnë masivisht të drejtën e tyre të votës dhe të sigurojnë përfaqësim parlamentar”, ka shkruar Kamberi.

Serbët e Kosovës nisen me autobusë për të votuar
Shaip Kamberi

Ai ka thënë përpara mediave se Tirana dhe Prishtina nuk kanë faj që shqiptarët në Luginë dalin me dy lista për zgjedhjet. Kamberi u shpreh optimist se do të arrijë votat e mjaftueshme, për të qenë deputet në parlamentin e Serbisë. 

Pjesëmarrje e ulët e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Mediat e Kosovës bëjnë me dije se në zgjedhjet e Serbisë, pak shqiptarë kanë dalë të votojnë. Deri në orën 14:00, në Preshevë kanë votuar vetëm 8 përqind e qytetarëve me të drejtë vote. Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ), Alban Mehmeti ka thënë për KosovaPress se numri i qytetarëve që e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës është mbi 3 mijë e 500. “Në Preshevë, deri në orën 14:00, kanë votuar 3.587 qytetarë ose 8 për qind”, tha ai. Të drejtën e votës në Preshevë e kanë 43 mijë e 500 qytetarë, në gjithsej 38 qendra votimi.

Policia e Kosovës, masa shtesë në pikat kufitare

Policia e Kosovës ka lajmëruar se ka angazhuar personel shtesë në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, për të menaxhuar fluksin e madh të krijuar, si rezultat i zgjedhjeve që po mbahen në Serbi. Serbët e Kosovës kanë udhëtuar në mënyrë të organizuar nga veriu i Kosovës drejt Serbisë, për të votuar. Madje, edhe në Gjilan ka pasur mjete transporti, për qytetarët e Luginës së Preshevës, që dhe ata të mund ta ushtrojnë të drejtën e votës.

Serbët e Kosovës nisen me autobusë për të votuar
Pike kufitare mes Kosoves dhe Serbise

“Zgjedhjet që po mbahen sot në Serbi, kanë bërë që disa qytetarë të Republikës së Kosovës të udhëtojnë drejt Serbisë, andaj me qëllim që të sigurohet një qarkullim i lirë i qytetarëve të cilët udhëtojnë për në Serbi, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e duhura, në mënyrë që liria e lëvizjes të jetë e garantuar. Po ashtu, policia edhe në pikat e kalimit kufitar ka ndërmarrë hapa konkret, përfshirë edhe shtimin e personelit policorë, për të përballuar më shumë kalime kufitare se ditëve të tjera. Për shkak të fluksit të qytetarëve dhe procedurave kufitare, ka ndikuar në krijimin e disa pritjeve të kalimit kufitar në disa pikë kalime kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, ku për të shmangur këto pritje, Policia e Kosovës ka angazhuar personel shtesë, në mënyrë që të kemi një menaxhim sa më efikas të kufijve shtetëror, ashtu siç parashihet edhe me MIK, (menaxhimi i integruar i kufirit)”, lajmëron Policia e Kosovës. Sot, në pikat kufitare Jarinje, Dheu i Bardhë, Bërnjak, Merdar e Muçibabë u krijua trafik.

Sot në Serbi po mbahen zgjedhjet parlamentare ku shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit po garojnë me dy lista zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”./ZËRI/

Poll

MOS HUMB