
UASHINGTON-MOSKË- SHBA dhe Rusia arritën një marrëveshje historike së bashku, atë të lirimit të burgosurve politik. Një këmbim i tillë nuk ka ndodhur që prej Luftës së Ftohtë. Dy vendeve iu deshën më shumë se dy vite bisedime për të arritur të pranojnë kushtet e njëri-tjetrit dhe të lironin të burgosurit. Ky këmbim pa dyshim sjell fitore të të dyja palëve, por çfarë fitojnë në të vërtet vendet?
Të burgosurit politik të liruar nga Rusia janë reporterët e Wall Street Journal, Evan Gerskovich, gazetarja e Radio Evropa e Lirë, Alsou Kurmaseva, ish-marinsi Paul Whelan, si dhe të tjerë. Avioni u ul në orën 06:40 dhe të liruarit u mirëpritën personalisht nga presidenti amerikan Joe Biden dhe zëvendëspresidentja e tij, Kamala Harris.




Marrëveshja e shkëmbimit u arrit pas më shumë se dy vitesh negociatash midis SHBA-së, Gjermanisë, Rusisë, Turqisë dhe Sllovenisë. Janë shkëmbyer gjithsej 26 persona të mbajtur në burgje në shtatë vende të ndryshme. Në mesin e tetë shtetasve rusë që pritet të lirohen është Vadim Krazikov, i cili po vuan dënimin e përjetshëm për vrasjen e një kundërshtari të Kremlinit në Berlin në vitin 2019.
Kush janë të burgosurit e liruar?
Tre shtetas amerikanë dhe një banor i përhershëm i SHBA: reporteri i Wall Street Journal Evan Gerskovich, ish-marinsi amerikan Paul Whelan, gazetarja ruso-amerikan Alsou Kurmaseva dhe disidenti Vladimir Kara-Murza.
12 shtetas gjermanë dhe të burgosur politikë rusë: Dieter Voronin, Kevin Leek, Rico Krieger, Patrick Sobel, Herman Moises, Ilya Yashin, Lilia Tchanisheva, Ksenia Fadeeva, Vadim Ostanin, Andrey Pirovarov, Oleg Orlov dhe Sasha Skosilenko.
Tetë të burgosur të riatdhesuar në Rusi: Vadim Krasikov (nga Gjermania), Artem Viktorovich Dulchev (nga Sllovenia), Anna Valerevna Dulcheva (nga Sllovenia), Mikhail Valierevich (nga Norvegjia), Pavel Alekseyevich Rubtsov (nga Polonia), Roman Seleznev (nga SHBA), Vladislav Klyusin (nga SHBA) dhe Vadim Konoschenok (nga SHBA). Në mesin e 26 të burgosurve janë edhe dy fëmijë të mitur.
Çfarë do të thotë kjo për Biden?
Ky shkëmbim mund të quhet një nga fitoret më të mëdha që Biden ka korrur në 4 vitet e drejtimit të Shtëpisë së Bardhë. Madje demokratët këtë e quajnë një mision të paumundur që u realizua vetëm prej tyre. Siç argumentojnë ata, me një sy në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit, marrëveshja nuk mund të ishte bërë pa aleanca, në të cilat Biden ka investuar, ndryshe nga Trump që po i minon ato.
“Ky shkëmbim nuk ka ndodhur rastësisht. Është me të vërtetë rezultat i udhëheqjes së Presidentit Biden dhe fuqisë së marrëdhënieve. Pasi Gjermania, e cila ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje, nuk do të kishin shumë gjasa ta bënte këtë për Trump”, thanë zyrtarët demokratë.
Në fjalimin e së enjtes, i rrethuar nga familjarë të të burgosurve amerikanë, Biden pranoi kontributin e kolegëve të tij të huaj në arritjen e marrëveshjes. Siç u shpreh ai, marrëveshja që bëri të mundur gjithë këtë ishte një vepër e diplomacisë dhe miqësisë. Burimet e Shtëpisë së Bardhë e përshkruajnë mesin e korrikut si një nga periudhat më intensive të gjithë mandatit të Biden.
Stafi Biden ka punuar me "ethe" në prapaskenë për shkëmbimin e të burgosurve, ndërsa përpiqet të arrijë në një marrëveshje me Lindjen e Mesme të lëkundur. Ai duhej të merrej me pasojat e tentativës për vrasjen e Donald Trump dhe të bindë Amerikën se lideri i tyre është i aftë mendërisht dhe fizikisht, për të udhëhequr Vendi.
Ishte një moment joreal që testoi kufijtë edhe të drejtuesve politikë më të “sulmuar” të Shtëpisë së Bardhë. Pothuajse kjo marrëveshje për pak u prish ng Sllovenia, detajet e këtij problemi janë ende të paqarta, por besohet se ka të bëjë me gjykatat sllovene dhe lirimin e një të burgosuri rus.
...por edhe Putin është i fituar!
Kremlini përdori gazetarë dhe figura të opozitës, rusë dhe të huaj, për të siguruar lirimin e individëve që dyshohet se u shërbenin interesave të shtetit rus. Në mesin e atyre që u kthyen në Rusi janë hakerë të dënuar dhe disa shtetas rusë që ishin arrestuar në Perëndim për spiunazh. Një prej tyre është Vadim Krazikov, një vrasës me pagesë i dënuar, lirimi i të cilit ishte një objektiv i qartë për Vladimir Putin.
Krazikov u dënua nga një gjykatë gjermane për vrasjen e çeçenit Zelimkhan "Tornike" Kangosvili me origjinë nga Gjeorgjia në një park të Berlinit në vitin 2019.
Në intervistën e tij me Tucker Carlson shkurtin e kaluar, Putin e përshkroi vrasjen e Kangosvilit si një akt të "interesit publik", duke e përshkruar Krazikov si "një njeri që për arsye patriotizmi neutralizoi një bandit". Kangosvili njihej si një nga kritikët më të mëdhenj të Putinit, pas Alexey Navalny-t.




Lirimi i Krazikov dhe të tjerëve të akuzuar për spiunazh duket se dërgon një mesazh të njohur: Nëse punoni për ne, përfundimisht do të shpërbleheni dhe do të mbroheni. Dhe nëse na tradhtoni, ne do ta kujtojmë atë për një kohë të gjatë.
Ky model historik, përforcon mesazhin për të gjithë ata që punojnë për shtetin rus, dhe veçanërisht ata që janë pjesë e aparatit të tij të gjerë të sigurisë dhe inteligjencës, se “Rusia kujdeset për veten”. Në fund të fundit, vetë Putini i përkiste shërbimeve të inteligjencës dhe e njeh kodin e nderit që zbatohet brenda spiunazhit rus.
Por cila është rëndësia e shkëmbimit të fundit të të burgosurve në kontekstin e konfrontimit të vazhdueshëm të Rusisë me Perëndimin?
Që kur forcat e Putinit pushtuan Ukrainën në shkurt 2022, marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit kanë qenë në nivelin më të keq historik. Megjithatë, negociatat që çuan në shkëmbimin e djeshëm tregojnë se disa kanale komunikimi mes dy vendeve mbeten të hapura. Raportohet se në mesin e të shkëmbyerve do të ishte edhe tashmë i ndjeri Alexei Navalny, i cili ndërroi jetë në një burg në shkurt, por në vend të tij u liruan aleatët të ish-liderit të opozitës.
Shkëmbimi i figurave të opozitës ruse, megjithatë, është një lloj fitoreje për Kremlinin, por kjo nuk do të thotë se klima politike e Rusisë është bërë më pak shtypëse. Dhe në aspektin gjeopolitik, pak ka ndryshuar. Pas shkëmbimit të të burgosurve, Perëndimi do të përballet ende me një udhëheqje ruse që ka bërë të qartë se cilat janë prioritetet e saj: mbrojtja e interesave të shtetit të sigurisë dhe mbajtja e një qëndrimi hapur armiqësor ndaj Perëndimit. /ZËRI/