
SHKUP- Një incident diplomatik u shënua dje me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të cilës forcat e sigurisë tentuan që t'i merrnin telefonin në aeroportin e Shkupit. Mediat e Kosovës raportuan dje se Osmani është përplasur fizikisht me forcat e sigurisë. Më pas, ka kërkuar ndihmë nga Kreu i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi dhe më pas ka vijuar me udhëtimin e saj. Sot, një ditë pas incidentit ka pasur shumë reagime lidhur me rastin, por mungojnë dy. As kryeministri Albin Kurti, e as kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk kanë bërë asnjë koment lidhur me atë që ka ndodhur me presidenten Osmani. Prej kohësh mediat në Kosovë, raportojnë për tensione mes Kurtit dhe Osmanit, që sot i vërteton heshtja e kreut të shtetit.
-
TENSIONE DHE MATJE FORCASH- Pse u kris "çifti" Kurti-Osmani?
2 Gusht, 10:17
Megjithatë, edhe pse kohët e fundit kanë pasuar "disse" ndaj njëra-tjetrës, nuk ka munduar një reagim nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Zyrarisht, Donika Gërvalla thotë se ndaj Osmanit ka pasur një trajtim jodinjitoz dhe se kanë kërkuar sqarime nga Shkupi zyrtar lidhur me atë që ka ndodhur.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me shqetësim ka mësuar rreth incidentit të shkaktuar në Aeroportin e Shkupit në raport me trajtimin jodinjitoz të Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. MPJD do të mbajë publikun të informuar për veprimet e mëtejshme, për të sqaruar këtë situatë dhe për t'u siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin në të ardhmen në raport me krerët e shtetit tonë,”- thuhet në njoftimin e plotë të publikuar në Facebook.
Nga ana tjetër, Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike. Këshilltari për mediat i Presidentes, Bekim Kupina tha se veprimet e personelit të sigurisë dukeshin se kishin për qëllim të provokonin delegacionin e Kosovës dhe të shkaktonin ndonjë incident.
“Nuk është lejuar në asnjë mënyrë dorëzimi i telefonit personal. Sjellja e zyrtarit të aeroportit është e paprecedentë dhe nuk ka ndodhur kurrë në udhëtimet e presidentes,”- tha ai.
REAGIMI I PLOTË:
Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal. Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse. Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident. Presidentja e ka njoftuar për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit z.Afrim Gashi, të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar. Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim. Kabineti i Presidentes e ka kontaktuar palën sllovene të cilët na kanë informuar që një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar. Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundershtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në menyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër e as nuk do të lejojë një ndonjëherë një gjë të tillë.
Ndërkohë, sot ka reaguar aeroporti i Shkupit për këtë incident, duke thënë se veprimet e forcave të sigurisë kanë qenë në përputhje me ligjet në fuqi, pasi kanë detyrim të ushtrojnë kontroll për të gjithë pasagjerët. Në reagim thuhet se edhe pasagjerët që udhëtojnë në pjesën VIP janë gjithashtu subjekt i kontrolleve.
“TAV Maqedonia informon se në pajtim me Ligjin për Aviacionin dhe rregulloren ligjore ndërkombëtare lidhur me sigurinë e aviacionit civil ... operatori i aeroportit e ka detyrim ligjor të kryejë kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave,”- thuhet ndër të tjera në reagim.
Edhe Ministria e Punëve të Brendshme e ka dhënë versionin e tyre në lidhje me incidentin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Në njoftimin e MBP-së, thuhet se teksa presidentja Osmani po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin ta kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.
“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentit. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare”, thuhet në njoftim. Kabineti i Gashit nga ana tjerër ka bërë të ditur se sigurimi i tij (punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme), kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe për të ndihmuar kolegët e tyre që të zbatojnë procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili tha se dënon “veprimet e papranueshme” që kanë ndodhur në Shkup.
“Ky incident tregon qartë paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e përfaqësuesve të paligjshëm shqiptarë në qeveri,”- shkroi ai në Facebook.
Edhe ministri i Shëndetësisë dhe një nga udhëheqësit e VLEN-it, koalicionit shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka reaguar pas incidentit të presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit. Sipas Taravarit, BDI-ja, partia e udhëhequr nga Ali Ahmeti, po manipulon për të dëmtuar VLEN-in, ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme, sipas tij nuk ka kompetencë mbi sigurinë e aeroportit. Ai shprehet se është kompania TAV që ka kompetenca në sigurinë e aeroportit dhe jo Ministria e Brendshme.
“Si VLEN, shprehim shqetësimin tonë se si një parti politike në Maqedoninë e Veriut, konkretisht BDI, po përdor gënjeshtra dhe manipulime në përpjekje për të dëmtuar vetëm VLEN-in, pa u shqetësuar për pasojat që mund t’i sjellë Kosovës. Ne i bëjmë thirrje opinionit që të ndjekë faktet dhe jo propagandën e BDI-së. Faktet janë si më poshtë: 1 – MPB dhe shteti nuk kanë kompetencë mbi sigurinë e aeroportit, por kjo është në kompetencë të koncesionarit, në këtë rast TAV-it. 2 – Sipas Konventës së Vjenës, udhëheqësit shtetërorë kanë trajtim të veçantë gjatë udhëtimit, por detajet e protokolleve të sigurisë i përcakton koncesionari i aeroportit 3 – Një keqkuptim i ngjashëm ka ndodhur edhe kur Talat Xhaferi ishte kryeministër teknik, pse BDI-ja nuk flet për këtë? Dhe e ftojmë BDI-në të përgjigjet nëse gjatë udhëtimeve të tyre kanë shmangur skanerat”.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte diplomatike dhe deri më tani nuk kanë pasur incident të kësaj natyre. Por ngjarja e ndodhur ka bërë që të nisin hetimet për zbardhjen e plotë të asaj që ka ndodhur pasditen e djeshme në Shkup./ZËRI