Bota

Shpërthimi i cisternës me acid në minierën e Mitrovicës, gjithçka duhet të dini

Në lidhje me incidentin e ndodhur në minierën e Trepçës, kanë reaguar edhe ministra të qeverisë së Kosovës.

D.XH
Shpërthimi i cisternës me acid në minierën e
Miniera ne Trepce

MITROVICË – 12 minatorë të minierës në Trepçë janë lënduar, pas shpërthimit të një cisterne me acid. 2 nga minatorët janë lënduar më rëndë, teksa të tjerët, pasi kanë marrë ndihmën mjekësore në spital, kanë shkuar në shtëpi. Minatorët e lënduar janë vizituar edhe nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, teksa për rastin, vizitë ka bërë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Çfarë dihet deri tani për këtë rast?

Policia e Kosovës, në raportin e saj të 24 orëve të fundit, lajmëroi se rasti i shpërthimit të cisternës me acid në minierën e Trepçës është duke u hetuar, pasi nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar këtë shpërthim.

“LËNDIM AKSIDENTAL Fsh. Stanterg, Mitrovicë / 17.01.2024 – 12:00. Raportohet se në rrethana të panjohura në minierën e Trepçës ka shpërthyer një cisternë me acid ku lëndime trupore kanë pësuar 12 persona. Të lënduarit janë dërguar në trajtim mjekësor në spitalin e Mitrovicës, ku pas trajtimit, dy janë ndaluar në trajtim të mëtejshëm ndërsa 10 janë liruar në shtëpi. Në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, të mërkurën, Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë, ka bërë me dije se janë lënduar nga incidenti 12 minatorë, 2 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime në sy.

“Sot, rreth orës 13:00, ka ndodhur një incident në Minierën e Trepçës, ku ka pasur rrjedhje kimike të acidit sulfurik ku për pasojë janë lënduar 12minatorë. Prej tyre, 2 kanë pasur lëndime serioze të syve (djegie kimike me acid sulfurik), të cilët pas trajtimit në Repartin e Emergjencës janë transferuar ne repartin e Oftalmologjisë së Spitalit të Mitrovicës për trajtim të mëtejmë. Ndërsa, 10 prej tyre janë duke u trajtuar në repartin e Emergjencës, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën dhe pas trajtimeve pritet të shkojnë në shtëpi.” – thuhet në njoftimin e spitalit.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia tha se 2 minatorët që janë lënduar më tepër janë nën kujdesin e mjekëve dhe se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

‘Trembëdhjetë minatorët e lënduar në Minierën e Trepçës, kanë marrë trajtim shëndetësor në Spitalin e Përgjithshëm "Dr. Sami Haxhibeqiri" në Mitrovicë. Njëmbëdhjetë nga ta, pasi morën trajtimin shëndetësor janë liruar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa dy të tjerë të cilët kanë lëndime në sy, janë ende nën mbikqyrje dhe kujdesin mjekësor të mjekëve dhe infermierëve. Ata nuk kanë rrezik për jetën.” – ka shkruar Vitia në Facebook.

Ndërsa, edhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka vizituar në spital të lënduarit. Ajo iu tha të lënduarve se qeveria në Kosovë është në dispozicion të tyre dhe do t’i përkrahë në çdo rast.

“Në Spitalin e Mitrovicës, së bashku me anëtarët e Bordit të ndërmarrjes, vizitova Ramadanin e Nysretin, dy minatorët e lënduar në aksidentin e pasdites së sotme në minierën e Trepçës. Përkundër lëndimeve të syve, ata kishin vullnetin e vendosmërinë për t'a tejkaluar këtë sfidë e për t'iu rikthyer punës. Gjithashtu pamë nga afër përkujdesjen profesionale e të ngrohtë të Doktoreshës së ndërrimit, Mimoza Shabani, dhe infermiereve të Spitalit të Mitrovicës, dhe i njoftuam të lënduarit dhe stafin mjekësor se Qeveria e Republikës së Kosovës është në dispozicion për çdo përkrahje të nevojshme për t'u siguruar që minatorët marrin trajtimin më të mirë të mundshëm. Falënderoj stafin mjekësor të Spitalit të Mitrovicës për kujdesin maksimal ndaj të lënduarve. Minatorët tjerë të lënduar, fatmirësisht, kanë pasur lëndime të lehta dhe janë lëshuar në shtëpi. Nysretit, Ramadanit dhe kolegëve të tyre u urojmë shërim të shpejtë e të plotë.” – ka shkruar ministrja në Facebook.

12 minatorë në Trepçë u lënduan, pasi një cisternë me acid shpërtheu në minierë. Minatorët kanë protestuar edhe disa muaj më parë, për kushtet e vështira të punës dhe për vonesat e pagës./ZËRI/

Poll

MOS HUMB