SHBA- Gjigandi i rrjeteve sociale Meta i drejtuar nga Mark Zuckerberg është vendosur nën shënjestrën e ligjit në Amerikë. Gjykatësi Bryan Biedscheid, në shtetin e Nju Meksikos, ka vendosur që kompania të gjobitet me 567 milionë dollarë, pasi nuk informoi publikun për rreziqet që paraqesin platformat e rrjeteve sociale për fëmijët. Gjyqtari shprehet se Meta përbën tashmë një "shqetësim publik", të ngjashëm me ndotjen e ajrit.
BBC raporton se ky është vendimi më i madh i dhënë ndonjëherë kundër Meta-s lidhur me sigurinë e fëmijëve.
"Vendimi i së enjtes i shtohet edhe 375 milionë dollarëve gjobë që Meta ishte urdhëruar më parë të paguante në këtë çështje, duke e çuar totalin në 942 milionë dollarë", shkruan BBC.
Ndërsa përfaqësues të kompanisë shprehen se do ta apelojnë këtë vendim. Meta prej kohësh po përballet me mijëra padi në SHBA për çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve nga rrjetet sociale.
Një gjykatës në shtetin e Nju Meksikos, në SHBA, ka urdhëruar kompaninë Meta të paguajë edhe 567 milionë dollarë (421 milionë paund), pasi nuk paralajmëroi publikun për rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët. Ky është vendimi më i madh i dhënë ndonjëherë kundër kompanisë në lidhje me sigurinë e fëmijëve.
Gjykatësi Bryan Biedscheid deklaroi se gjiganti i rrjeteve sociale përbën një "shqetësim publik", të ngjashëm me ndotjen e ajrit, dhe urdhëroi që fondet të përdoren për krijimin e një fondi që synon të reduktojë dëmet e ardhshme.
Vendimi i së enjtes i shtohet edhe 375 milionë dollarëve gjobë që Meta ishte urdhëruar më parë të paguante në këtë çështje, duke e çuar totalin në 942 milionë dollarë.
Gjykatësi Biedscheid e krahasoi Metën me një fabrikë, ku reklamat dhe përmbajtja janë produkti i saj, ndërsa "dëmtimi psikologjik dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve janë ndotja që duhet eliminuar".
Një zëdhënës i Metës, kompania që zotëron dhe operon Instagram, Facebook, WhatsApp dhe Threads, deklaroi të enjten: "Nuk pajtohemi me vendimin dhe do ta apelojmë atë."
"Ne punojmë vazhdimisht për t'i mbajtur njerëzit të sigurt në platformat tona dhe kemi qenë transparentë për sfidat që lidhen me identifikimin dhe largimin e personave keqdashës dhe përmbajtjeve të dëmshme. Ne mbetemi të bindur për punën tonë në mbrojtje të adoleshentëve në internet dhe do të vazhdojmë të mbrojmë veten ndaj pretendimeve që shtrembërojnë faktet."
Edhe pas vendimit të mëparshëm për gjobën prej 375 milionë dollarësh, Meta kishte deklaruar se do ta apelonte atë dhe kishte dhënë një shpjegim të ngjashëm. Ishte hera e parë që një shtet amerikan fitonte një proces gjyqësor kundër Metës për çështje që lidhen me sigurinë e fëmijëve.
Aktualisht, Meta po përballet me mijëra padi në Shtetet e Bashkuara për çështje të ngjashme. Përveç vendimeve në Nju Meksiko, kompania humbi më herët gjatë këtij viti edhe një proces gjyqësor në Los Anxhelos, ku ngriteshin pretendime të ngjashme./ZËRI