
BRITANI E MADHE- Një skandal i madh është shkaktuar prej vdekjes së profesorit anglez të kimisë, Alastair Hamilton, i cili donte t'i jepte fund jetës me metodën e vdekjes së asistuar. Familja e Hamiltonit ka paditur një klinikë zvicerane të eutanazisë duke pretenduar se 47-vjeçari, pavarësisht se nuk kishte probleme shëndetësore, ishte asistuar për t'i dhënë fund jetës.
Të afërmit dhe miqtë e Hamiltonit shpjegojnë se së fundmi sjellja e tij kishte ndryshuar papritur. Ai ishte shpesh i vrenjtur, i trishtuar që kishte lënë punën dhe shpesh i referohej vetëvrasjes si e vetmja rrugë për të dalë nga mjerimi i tij. Vëllai i tij i kërkoi që të mos e përmendte këtë bisedë para prindërve, pasi ata ishin të shqetësuar nga ky mendim i 47-vjeçarit. Papritur, kimisti 47-vjeçar i njoftoi familjes se do të shkonte për të vizituar një mik në Paris.
Por destinacioni ishte një vend tjetër. Hamilton shkoi në Zvicër dhe iu nënshtrua procedurës së eutanazisë, duke marrë injeksionin vdekjeprurës që do t'i jepte fund "problemeve" të tij. Akti i tij përfundimtar nuk u bë i ditur derisa njerëzit e tij u thirrën për të marrë hirin e 47-vjeçarit, dy muaj pas vdekjes së tij.
Procedura e kryer ndaj kimistit, edhe pse ai nuk vuante nga asnjë problem shëndetësor, ka ngritur pikëpyetje për mënyrën e funksionimit të klinikës dhe kufijtë që ajo vendos në debatin e madh rreth vdekjes së asistuar. Policia britanike po përpiqet të marrë përgjigje nga klinika lidhur me mënyrën se si funksionon. Nga ana e saj, klinika pretendon se i drejtohet çdo personi, nëse ka apo jo problem shëndetësor, që dëshiron t'i japë fund jetës. Kushti i vetëm është të jesh mbi 18 vjeç.
Familja e Hamiltonit thotë se janë të indinjuar ndaj klinikës, e cila ende nuk i ka dërguar letrën e lamtumirës të së ndjerit dhe as nuk ia ka kthyer as sendet personale. Çështja e Hamiltonit ka mbërritur në Parlamentin Britanik. Laburistët bëjnë thirrje për ligje më të ashpra për vdekjen e asistuar.
Ndërsa nga zyra e Sunakut kanë komentuar se është çështje e ndërgjegjes së deputetëve që të marrin një vendim të tillë./ZËRI