
SHBA- Të hënën filloi gjyqi historik penal ndaj ish-Presidentit Donald Trump, nën akuzat për falsifikimin e të dhënave të biznesit me qëllimin për të fshehur pagesat në këmbim të heshtjes së aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, mbi një lidhje të dyshuar jashtëmartesore me të.
Gjyqi filloi me procesin e vështirë të përzgjedhjes së jurisë. Të hënën nuk zgjodh asnjë anëtar dhe përzgjedhja pritet të rifillojë të martën. Trump është ish-Presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale dhe nëse dënohet, rrezikon të vuajë dënim me burg.
Gjyqi zhvillohet në një kohë që Donald Trump garon për të rimarrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.
Ish Presidenti është i detyruar të jetë i pranishëm gjatë seancave gjyqësore, përveç në rastet kur kërkon përjashtim, çka do të thotë se do të jetë në rolin e të pandehurit ndërsa në të njëjtën kohë bën fushatë për zgjedhjet presidenciale.
Mediat amerikane raportojnë se Trump është shfaqur i përgjumur në sallën e gjyqit, ndërkohe që si për ironi të fatit, ai akuzon si gjumash pikërisht kundërshtarin e tij Joe Biden.
Pavarësisht mungesës së kamerave në sallën e gjyqit, e ndaluar nga ligji i Nju Jorkut, “përgjumja” e qartë e Donald Trump nuk u ka shpëtuar syve të gazetarëve, të cilët kujtojnë pa pushim pseudonimin që Trump i kishte vënë rivalit të tij Biden, me nofkën “Sleepy Joe”.
Këtë herë ka qenë manjati ai që është shfaqur i përgjumur. Me gojë hapur, sy të mbyllur dhe kokë të varur, Trump nuk e ka përmbushur imazhin që ka tentuar të shfaqë në contrast me Biden, si një njeri energjik.

Procesi i gjykimit vazhdoi për disa orë, me avokatët e Trump të angazhuar në konsultime dhe debate të vazhdueshme me gjyqtarët. Gazetarët e pranishëm raportuan se, në një nga këto situata, koka e ish-presidentit ishte e varur, si dikush që është duke fjetur gjumë.
Sa i takon akuzave, Trump i cilësoi ato të pavërteta. “Është një mashtrim. Është një gjueti shtrigash për qëllime politike. Vazhdon dhe vazhdon”, tha Trump pasi la sallën e gjyqit ndërsa u ul në bankën e të pandehurve së bashku me avokatët e tij.
rump akuzohet për fshehjen e një pagese prej 130,000 dollarësh bërë yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels, pak përpara zgjedhjeve të 2016-ës, me synimin për të siguruar heshtjen e saj lidhur me pretendimet e kësaj të fundit, për një marrëdhënie jashtëmartesore.
Prokurorët kanë përmendur gjithashtu edhe rastin e ish-modeles së revistës “Playboy”, Karen McDougal, e cila pretendon se ka patur një lidhje 10-mujore me zotin Trump në mesin e viteve 2000. Zonja McDougal është paguar me 150,000 dollarë nga kompania mëmë e tabloidit “National Enquirer”, për të siguruar eksluzivitetin në publikimin e kësaj historie, e cila gjithsesi nuk u publikua kurrë, sipas dyshimeve, me kërkesë të zotit Trump.
Ish Presidenti i ka mohuar marrëdhëniet me të dyja gratë si dhe të 34 akuzat me të cilat përballet në çështjen e Nju Jorkut, përfshirë atë se udhëzoi ish-avokatin e tij Michael Cohen, që të paguante zonjën Daniels e më pas e rimbursoi atë gjatë vitit të parë të presidencës së tij në vitin 2017. Paratë u regjistruan si rrogë mujore e shpenzime ligjore për zotin Cohen.
