Bota

Taravari braktis qeverinë maqedonase dhe kalon në opozitë: Shqiptarët ndihen më të keqtrajtuar se më parë!

Taravari deklaroi se këshilli drejtues i partisë dhe kryetarët e degëve kaluan në opozitë.

I.F
Taravari braktis qeverinë maqedonase dhe kalon në opozitë:
Arben Taravari

SHKUP- Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Tavari njoftoi se do të tërhiqet nga koalicioni qeverisës në Maqedoninë e Veriut. Taravari deklaroi se këshilli drejtues i partisë dhe kryetarët e degëve kaluan në opozitë.

“Këshilli drejtues i partisë dhe kryetarët e degëve vendosën që të kalojmë në opozitë. Po rikthehemi mes qytetarëve. Në zgjedhjet lokale të tetorit do të kemi një rezultat shumë më të mirë”, deklaroi ai.

Taravari shtoi se arsyet që çuan drejt këtij vendimi ishin kritikat nga qytetarët se nuk janë përmbushur premtimet.

“Nuk i realizuam ndryshimet që i kishim premtuar dhe qytetarët me të drejtë na kritikojnë për këtë. Prandaj vendosëm të kthehemi tek qytetari dhe t’i kërkojmë sërish besimin në zgjedhjet lokale të tetorit. Sot konstatuam se, nëse brenda Qeverisë ka mungesë besimi, atëherë duhet të largohemi prej saj”, ishte pohimi i Taravarit.

Ai theksoi se pakënaqësia në elektoratin shqiptar është e madhe për shkak të përdorimit të “Balancuesit” dhe ngecjes së rrugës drejt Bashkimit Europian. Më tej, shtoi se shqiptarët ndihen më të keqtrajtuar se më parë.

Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Taravari, ka vendosur të garojë me listat e saj në zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërsa forcat e tjera të koalicionit VLEN vendosën ta shndërrojnë atë në parti, por pa Aleancën.

Taravari zhvilloi edhe një takim me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, i cili pretendon nga ana e tij se kjo lëvizje nuk e rrëzon ekzekutivin dhe se Qeveria është e qëndrueshme, e fortë dhe me shumicë të madhe, me apo pa Aleancën për shqiptarët./ZËRI

Poll

MOS HUMB