
FRANCË- 76-vjeçari Gérard Depardieu u shpall fajtor për sulm seksual ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit Les Volets Verts (The Green Shutters) në vitin 2021. Gjykata i dha atij një dënim me kusht prej 18 muajsh. Aktori i ka mohuar akuzat dhe nuk ishte i pranishëm në gjykatë pasi ndodhet në Portugali duke xhiruar një film të drejtuar nga Fanny Ardant.
Akuzat, të bëra nga një asistent skenografja dhe një asistent regjisorja, përfshijnë incidente të shumta të prekjeve të papërshtatshme, si në shesh xhirimi ashtu edhe në publik. Skenografja, e cila është identifikuar me emrin Amélie tregoi: Më kujtohen sytë e tij, pashë këtë fytyrë të madhe, sy të kuq, shumë të zemëruar. Ajo që më bie në sy nuk është dëshira e tij seksuale, por egërsia e tij. Fakti që ai e dinte që unë isha e frikësuar - pashë sytë e tij të shkëlqenin nga një lloj kënaqësie kur e kishte frikësuar dikë. Më kujtohet kjo egërsi.
Aktori 76-vjeçar këmbëngul në mohimin e akuzave. Gjatë gjithë gjyqit, Depardieu pati mbështetjen e vajzës së tij Roxanne, ish-partneres së tij Karine Silla dhe aktorit Vincent Perez. Të hënën, edhe Brigitte Bardot e mbështeti publikisht atë.
Depardieu konsiderohet ylli më i madh i kinemasë franceze dhe është personaliteti më i njohur i përfshirë në lëvizjen franceze #MeToo.
Rreth 20 gra e kanë akuzuar aktorin për sulm ose sjellje të papërshtatshme, por këto ishin rastet e para që përfunduan në Gjykatë. Depardieu është akuzuar edhe për një rast tjetër, pas një ankese për përdhunim nga aktorja 29-vjeçare Charlotte Arnold. Por çështja ende nuk ka përfunduar në Gjykatë./ZËRI